Ambasada e SHBA-së në Serbi rihap dyert, bllokon vizat
• Ambasada amerikane në Beograd do të rihapë dyert të mërkurën, por nuk do ta ketë në dispozicion të qytetarëve serbë sektorin e dhënies së vizave, si ndëshkim ndaj sulmeve të dhunshme kundër këtij institucioni të enjten e kaluar.Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i ambasadës amerikane në Beograd. Të njëjtën procedurë do të ndjekin edhe tetë ambasadat e tjera perëndimore të sulmuara në Serbi, në mënyrë të dhunshme gjatë protestave të organizuara nga qeveria për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Mes tyre janë edhe ambasada gjermane, britanike dhe greke. Vendimi i diplomatëve amerikanë u mor pas përpjekjes së parë të kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, i cili ka akuzuar policinë se ka dështuar në mbrojtjen e institucioneve të përfaqësive perëndimore në Beograd, për shkak të pasivitetit të saj. Protestat nisën menjëherë pas mitingut të organizuar nga qeveria serbe, ku morën pjesë 150 mijë persona. Pas tyre, rreth 300 të tjerë organizuan sulmet e dhunshme kundër ambasadave, ku më e shkatërruara ishte ajo amerikane, e cila u dogj deri në pjesën e brendshme. Protestat në Mitrovicë Mitrovica kaloi ditën e nëntë të protestave në anën serbe të saj kundër pavarësisë së Kosovës. Më shumë se 1 000 serbë u mblodhën sërish dje për të protestuar për pavarësinë me flamuj blu-kuq e të bardhë me pankartat “Kosova është Serbi”. Ata gjithashtu kanë inskenuar një lojë tallëse futbolli kundër vendeve të Bashkimit Evropian, që e kanë njohur zyrtarisht pavarësinë. Zyrtarët nuk njoftojnë për incidente. Protesta në BanjallukëPolicia ka hedhur gaz lotsjellës kundër protestuesve serbë të Bosnjës për t’i parandaluar ata që të mos i afrohen konsullatës së Shteteve të Bashkuara, e cila është përkohësisht e mbyllur pas protestave të dhunshme të javës së kaluar. Protestat u mbajtën për ta kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Raportohet se në këtë tubim morën pjesë afro 10 mijë vetë. Një pjesë e protestuesve gjuajtën me gurë në drejtim të policisë, e cila ia doli ta shpërndajë grupin. Në protestën e serbëve të Bosnjës mori pjesë dhe foli edhe zyrtari i lartë Millorad Dodiç.