Korrupsioni, prokurorja amerikane vjen në Tiranë
• TIRANE – Një prokurore amerikane nga Departamenti i Drejtësisë do të asistojë Njësinë Task-Force Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës.Lajmi është konfirmuar nga zyra e shtypit e Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilës autoritetet amerikane tashmë kanë emëruar në Shqipëri në rolin këshillues për prokurorët e Task-Forcës, prokuroren nga Departamenti i Drejtësisë Cynthia Eldridge. “Kjo prokurore do të atashohet pranë Njësisë së Përbashkët Hetimore të Luftës Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit”, thanë burimet zyrtare. Ndërkaq mësohet se prokurorja amerikane, e cila është specializuar për hetimet financiare dhe veçanërisht për ndjekjen penale të krimeve bankare, do të ketë një mandat 2-vjeçar qëndrimi në Shqipëri. Gjatë kësaj kohe ajo do të këshillojë nga afër prokurorët e Njësisë Task-Force për zbatimin e teknikave të reja të hetimit të korrupsionit, me qëllim arritjen e ndjekjes penale efektive dhe ndëshkimin penal të personave që implikohen në krime financiare, ekonomike apo në figura të veprave penale që klasifikohen tek veprimtaria korruptive.