E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH-i i heq dritat spitalit, bllokohet puna në radiologji

• DURRES - Mungesa me orë të gjata e energjisë elektrike në spitalin e Durrësit ka shkaktuar konfuzion të madh te pacientët. Më shqetësues ky problem është vënë re te reparti i radiologjisë, aty ku aparaturat e fuqishme e kanë të pamundur të përballohen me gjeneratorin e spitalit. Situata kaotike ka shkaktuar panik sidomos tek ata pacientë të cilët kanë nevoja të ngutshme për kryerjen e skopisë apo grafisë, pasi në sajë të rezultateve të tyre vendoset edhe lloji i mjekimit. Më kot pacientët kanë pritur për dy ditë me radhë në sallat e pritjes, pasi situata ka mbetur e njëjtë. Mjekët thonë se deri me vendosjen e kufizimeve të reja në Durrës mund të ketë anomali në disa reparte të këtij spitali. “Shërbimi i grafisë është 24 orë ‘non stop’. Gatishmëria e mjekëve është maksimale, por ndërprerjet e energjisë janë të vazhdueshme dhe për fat të keq pa orare të përcaktuara. Ne nuk e dimë se kur do të na ikë apo do të na vijë korrenti. Kjo situatë sjell radhë të pashmangshme. Në ato pak orë që ne kemi energji përpiqemi të fusim jashtë radhe ata që kanë diagnoza të rënda apo të interesuarit që vijnë nga rrethe të tjera”, tha për “Panorama” mjeku radiolog Fatmir Kondakçiu. KESH është duke riformatuar të gjithë skemën e furnizimit me energji të Durrësit. Burime të sigurta pranë tij shprehen se kufizimet shpesh kryhen “në ilegalitet”. Në të shumtën e rasteve kufizimet aplikohen në trajtë “remontesh” të zgjatura që variojnë nga 5-6 orë. o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›