Aksidentet sjellin edhe tetë persona të plagosur
Hetimet
Një karrocë përplaset me një motor, ndërsa një makinë godet trenin
Katër aksidente në Tiranë dhe Kavajë kanë shkaktuar ditën e djeshme edhe tetë persona të plagosur. Sipas të dhënave policore, një nga këto aksidente është shkaktuar nga një karrocë me kalë, ndërsa në një rast tjetër, një makinë është përplasur me trenin. Burimet policore shpjeguan se nga shërbimet e Policisë së Kavajës u dërgua për ndjekje penale Erlind Caca, 21 vjeç, banues në fshatin Rrakull. Rreth orës 19.00, në Rrakull, duke drejtuar karrocën me kalë, ai është përplasur me një motor, duke plagosur dy personat që ndodheshin në të. Të dëmtuarit Nesret Caca e Blerim Raklli, 20 e 17 vjeç, banues në Rrakull, ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, për ndjekje penale është dërguar edhe Artur Onuzi, 30 vjeç, sepse në orën 14.45, në rrugën dytësore pranë QTU-së, duke drejtuar mjetin “Mercedes Benz”, me targë TR 3696 M, është përplasur me trenin me Nr. 1032, me mashinist Jul Brahën, 49 vjeç, banues në Shkodër. Për pasojë janë aksidentuar Arturi dhe pasagjeri Benard Balla, 32 vjeç, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa për dy aksidentet e tjera, policia deklaroi se filloi procedimi në gjendje të lirë për Artan Goxhabellin, 48 vjeç, sepse në orën 08.45, në rrugën e Zall-Herrit, duke drejtuar mjetin “Mercedes Benz”, me targë TR 2208 G, është përplasur me mjetin “Tojota”, me targë të huaj ACR 197, që drejtohej nga Vait Luca, 23 vjeç, banues në Tiranë. Për pasojë janë dëmtuar dy drejtuesit e mjeteve dhe pasagjeri Ali Gjuzi, 63 vjeç, banues në Tiranë, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, rreth orës 15.15, në Rrugën e Durrësit, te kryqëzimi i Laprakës, mjeti me targa TR 1891 R është përplasur me mjetin “Mercedes Benz”, me targa TR 7236 L, e drejtuar nga Din Tahiraj, 55 vjeç, banues në Bathore. Ky i fundit ka mbetur i plagosur dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se autori i aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e tij.
#