E Shtunë, 31 Tetor 2026

Del nga spitali dibrani i mbijetuar nga dëbora

Korçë
Duarbosh në shtëpi pas tentativës për të emigruar

I mbijetuari nga dëbora në kufirin grek, Hajredin Sula, ka dalë nga gjendja e rënduar shëndetësore. Ai tashmë është kthyer pranë familjes. Shëndeti i tij është përmirësuar ndjeshëm, edhe pse i është dashur të trajtohet me mjekime për shkak të të ftohtit. 34-vjeçari nga fshati Selishtë i Dibrës ka mbërritur në kufirin shqiptar rreth orës 10.00 të së premtes me këmbë të ngrira, ndërsa mungesa e ushqimit dhe lodhja fizike nga ecja ia kishin rënduar më keq shëndetin. Për këtë arsye, Hajredin Sulës iu desh të trajtohej në kushte spitalore. Sipas mjekëve të spitalit të Bilishtit, 34-vjeçari ka qëndruar në terapi ditore dhe në mesditë, pasi shëndeti i tij nuk shfaqte më probleme, është nisur drejt familjes. Sula u nis në datën 20, në drejtim të shtetit grek. Kushtet e vështira ekonomike e detyruan që bashkë me Azis Muçën nga i njëjti fshat të merrnin rrugën e mërgimit. Sipas bashkudhëtarit, Hajredini nuk mund ta përballonte të ftohtin, për më tepër që nuk kishte kaluar më parë në zonën e kufirit të gjelbër me këmbë dhe në një mot të acartë. Ai u sëmur në mes të rrugës dhe ishte e pamundur të vazhdonte më tej. Azis Muça, shoku i tij, tregon se për shkak të gjendjes së rënduar të mikut të tij, vendosi të kërkonte ndihmë prej policisë. Disa orë pasi njoftuan me telefon, dy dibranët u gjetën nga policia greke në afërsi të një fshati matanë kufirit dhe u riatdhesuan menjëherë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›