E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, 5 medalje për sipërmarrjet e suksesshme



Biznesi i jep medalje të artë Presidentit Bamir Topi

Kreu i shtetit viziton panairin “Klik Ekspo Group”

Presidenti Topi viziton panairin ndërkombëtar “Klik Ekspo Grup” dhe dekoron përfaqësues të suksesshëm të biznesit. Ka zbritur në “vatrat” e bizneseve shqiptare, atje ku ata kanë shpalosur zhvillimin ekonomik të tyre dhe ka vlerësuar më të mirët. Pesë bizneset më të suksesshme kanë marrë vlerësimin maksimal nga Presidenti, duke u vlerësuar me medalje për zhvillimin dhe kontributin e dhënë në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Por më pas ka marrë dhe vlerësimin e komunitetit të biznesit, i cili i dhuroi një medalje të artë Presidentit të vendit, Bamir Topi. Kreu i shtetit, Bamir Topi, vizitoi dje pasdite panairin ndërkombëtar “Klik Ekspo Group” 2008, të organizuar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, në të cilin janë ekspozuar prodhime të sipërmarrësve vendas dhe të huaj. Presidenti Topi u prit nga titullarët e Klik Ekspo Group-it, kryetari i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, z. Gjokë Uldedaj, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe institucioneve të huaja që marrin pjesë në panair, si dhe nga një ekip i përzgjedhur sipërmarrësish shqiptarë dhe investitorësh të huaj, të cilët kanë ekspozuar në këtë panair. Pasi zhvilloi një takim me një grup të ngushtë sipërmarrësish, midis të cilëve ishin edhe përfaqësues nga Kosova, kreu i shtetit vizitoi stendat dhe pavijonet ku ishin të ekspozuara prodhimet më të fundit të firmave të ndryshme shqiptare dhe të huaja. Presidenti Topi u shpreh: “Mund të them diçka të improvizuar, sepse erdha ta vizitoj këtë panair si një qytetar i thjeshtë, ashtu sikurse e kam vizituar gjithmonë. Vetëm mund t’ju them që pesëmbëdhjetë vite nuk janë pak dhe duke e kalkuluar momentin kur ka filluar ky lloj aktiviteti, korrespondon pikërisht me hapat e para të ekonomisë së tregut në Shqipëri. Pra, nuk ka ekonomi tregu pa promocion, pa ekspozicion. Unë me këtë rast dëshiroj që të falënderoj të gjithë organizatorët, grupin “Klik Ekspo”, të gjitha firmat që marrin pjesë! Tashmë kjo nuk është thjeshtë një traditë, por brenda kësaj tradite ka mjaft elementë modernë, të përparuar të ekonomisë së tregut. Është një element i domosdoshëm i kësaj ekonomie: Shqipëria është një vend i hapur. Këtë e dëshmon edhe numri i firmave që marrin pjesë në panair, që vit pas viti shtohet, rritet jo thjesht me përfaqësues të Shqipërisë apo të vendeve fqinjë, por edhe të vendeve, të cilat mund të jenë edhe gjeografikisht larg Shqipërisë. Kjo tregon që konkup shikoj shumë njerëz. Janë qytetarë të thjeshtë, janë tregtarë, janë njerëz të medias dhe më vjen mirë që këtë prononcim e bëj pikërisht në këtë ekspozicion të një medieje, e cila konsiderohet si pioniere e futjes së teknologjisë moderne në Shqipëri. Për këtë ju falënderoj unë, ju falënderon gjithë Shqipëria, ju falënderojnë të gjithë shqiptarët, sepse ju keni bërë të mundur që ta shtrini botën e informacionit në çdo cep të globit tonë! Kjo, falë jush, falë të ndjerit Dritan Hoxha, i cili me pasionin e tij arriti që të fusë teknologji, të cilat janë kompetitive edhe për botën e përparuar sot. Edhe një herë, urimet më të mira dhe suksese në panairet e tjera”! Kreut të shtetit iu dhurua në shenjë mirënjohjeje nga organizatorët e panairit një medalje e artë me motivacionin: “Me mirënjohje për mbështetjen ndaj biznesit”.

BOX

Topi, 5 medalje për më të mirët e biznesit

Pas vizitës të pavijoneve të panairit “Klik Ekspo Group” në Pallatin e Brigadave u zhvillua ceremonia e dekorimit nga ana e Presidentit të Republikës, prof. dr. Bamir Topi, të një sërë sipërmarrjesh dhe përfaqësuesish të suksesshëm shqiptarë dhe të huaj. Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekreteve përkatëse nga sekretari i përgjithshëm z. Aleksandër Flloko, u dekorua nga Presidenti i Republikës me medaljen “Për merita të veçanta civile”: Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me këtë motivacion: “Për kontribut të vyer në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit, brenda dhe jashtë vendit”; EHW-ja: “Për kontribut në ndikimin dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit, si një ndër të parat sipërmarrje të suksesshme në vend, me standarde bashkëkohore”; dhe Klik Ekspo Group: “Për kontribut të veçantë si nismëtar i panaireve ndërkombëtare në Shqipëri dhe themelues i Unionit të Panaireve Ballkanike, për ndihmesë të vyer në njohjen dhe integrimin e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit.”

Ndërsa me “Medaljen e Mirënjohjes” u dekorua pas vdekjes Dritan Hoxha me këtë motivacion: “Ideatorit dhe krijuesit të talentuar të njërit prej grupeve më të fuqishme mediatike në vend, i cili revolucionarizoi median elektronike në Shqipëri duke vendosur standarde bashkëkohore dhe një shërbim cilësor për të gjithë shqiptarët” dhe avokati Xhovani Dexhenaro: “Për kontribut të vyer në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, si një ndër përfaqësuesit e sipërmarrjeve të huaja më të suksesshme në Shqipëri”.

Të dekoruarit falënderuan dhe shprehën mirënjohjen e tyre ndaj kreut të shtetit shqiptar për nderimin dhe vlerësimin maksimal ndaj bashkësisë së biznesit.

Medaljet e dhëna nga Presidenti Topi:

Me medaljen “Për merita të veçanta civile”:

-Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë me këtë motivacion: “Për kontribut të vyer në mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të komunitetit të biznesit, brenda dhe jashtë vendit”;

-EHW-ja: “Për kontribut në ndikimin dhe zhvillimin ekonomik e social të vendit, si një ndër të parat sipërmarrje të suksesshme në vend, me standarde bashkëkohore”;

-Klik Ekspo Group: “Për kontribut të veçantë si nismëtar i panaireve ndërkombëtare në Shqipëri dhe themelues i Unionit të Panaireve Ballkanike, për ndihmesë të vyer në njohjen dhe integrimin e sipërmarrjeve shqiptare jashtë vendit.”

Me “Medaljen e Mirënjohjes”

U dekorua pas vdekjes Dritan Hoxha me këtë motivacion: “Ideatorit dhe krijuesit të talentuar të njërit prej grupeve më të fuqishme mediatike në vend, i cili revolucionarizoi median elektronike në Shqipëri, duke vendosur standarde bashkëkohore dhe një shërbim cilësor për të gjithë shqiptarët”.

Avokati Xhovani Dexhenaro: “Për kontribut të vyer në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, si një ndër përfaqësuesit e sipërmarrjeve të huaja më të suksesshme në Shqipëri”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›