Presidenti? Berisha: I konsultuar me opozitën, por nga PD

Nuk përjashtojmë mundësinë e konsultimeve me opozitën për zgjedhjen e Presidentit të ri, por Presidenti do të jetë një ndër figurat kryesore të PD-së. Kështu ka deklaruar kryeministri Sali Berisha në bashkëbisedimin e tij me gazetarët.
“Do të jetë padiskutim kushtetues, por nuk i përjashtojmë konsultimet. Konsultimet janë të hapura, por Presidenti do të jetë një nga personalitetet e shquara të PD-së.”- tha Berisha.
Berisha gjithashtu në përgjigje të pyetjes së gazetares së “Ora News” theksoi se nuk ka asnjë ngërc politik mes mazhorancës dhe Presidentit të vendit, ka një tentativë për shkelje të Kushtetutës nga zoti Topi. Sipas Berishës Kushtetuta e vendit e ka të përcaktuar qartë dhe nuk lë asnjë hapësirë që kandidatura për nënkryetar të KLD-së të vije tjetër, përvecse nga përfaqësuesit e Parlamentit. Më tej e ka ironizuar qëndrimin e Topit, pasim të dëshpërimit pas humbjes së Vishos në përballje me Cefën, ndërsa ka shprehur vendosmërinë e mazhorancës për respektim të institucionit të Presidencës.
“Nuk ekziston asnjë ngërc i vetëm midis parlamentit dhe KLD-së, ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti, i cili e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e një demokracie të dhunimit të Kushtetutës, të një zotërie që në konceptin më primitive e konsideron karrigen e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit. Për keto arsye gjykata e lartë mbeti muaj të tërë pa kryetar, të njëjtën gjë pësoi dhe ajo kushtetuese. Në këtë psikologji u shkelmue vendimi i gjykatës kushtetuese që i kërkon kreut të shtetit të koperojë në marëdhëniet me parlamentin. Tani së fundi, i vendosur për interesa që ai e din, po shfrytëzon të vetmin moment që i ka mbetur për të shkelur Kushtetutën. Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë që trupa gjyqësore e vendit të përfaqësohet nga 7 apo 8, është taksative që 9. Ajo thotë se nga këto 9 nuk mund të zgjedhësh nënkryetarin. KLD është qeveria e drejtësisë. Kushtetuta nënkryetarin e ka përcaktuar të zgjidhet nga parlamenti, të njëjtën gjë përcakton vendimi i gj. kushtetuese i 2006. Pasi humbi dhe Vishon e tij don të mbyllë mandatin me një akt si ky. Nuk ka përplasje mazhorancë-president, ka qëndrim të papranueshëm ndaj Kushtetutës dhe precedentit të vendit.Nuk ka praktikë unike në procesin e emërimit të gjykatësve, por ka një sens se shpërndarja i bën institucionet më të balancuara. Mazhoranca është e vendosur të respektojë institucionin e presidentit, Topi për ne do ta mbyllë ditë më ditë mandatin e tij” tha ai.
Më tej pretendimeve të opozitës për rikompozim të qeverisë, ai iu përgjigj se Qeveria e tij nuk është fushë hipodromi, ku ministrat mund të shilohen njëri pas tjetrit sic ndodhi gjatë qeverisjes së socialistëve. Berisha theksoi gjithashtu se Ministrat duhen vlerësuar në bazë merites dhe kjo qeveri sipas tij e kaloi testin në zgjedhjet e 8 majit.
“Parardhësit e mi e shndërruan qeverinë në një stallë hipodromi, ku i shilonin ministrat me radhë, 74 ministra, kryeministra e zëvendësministra numëronte. Ky nuk është stili im, ministrat nuk janë kuaj, janë pozicione të rëndësishme ekzekutive, dhe unë nuk karakterizohem nga pasioni për koka turku, ata duhet të vlerësohen në bazë të meritës. Qeveria e kaloi testin, bëri Tiranën me kryetar të ri pas 12 vitesh, fitoi më shumë vota si koalicion. Unë merrem me mendjen dhe zemrën e qytetarëve shqiptarë” tha ai.
Në vazhdim Kryeministri komentoi akuzat ndaj tij për lidhje me mafien serbe.
“Djali im i ka dhënë sot përgjigje të qartë. Kjo ishte një klithmë e rradhës e mafies së dëshpëruar, sepse ajo s`ka as atdhe dhe as fytyrë. Mafia ka fytyrën e krimit dhe trofenë që placket. Në rastin konkret janë përgjigjur sot edhe OST dhe ERE. Ofertat që përmend Edi Rama është 30% më e kushtueshme se oferta tjetër për të cilën drejtuesi i OST, mendon se duhet të fitojë. Ministria e financave nuk pranon një borxh prej 10 milion dollarë më shumë për shkak të preferencave që tregojnë për një kompani apo për një tjetër. Unë di që ka patur një ankesë në Këshillin e Ministrave. Ai ka bërë kontrollin dhe ka marrë vendimin që ia ka përcjellë autoritetit kontraktues. Firmës boshnjake i është thënë: Për arsye se vendi yt nuk ka njohur Kosovën nuk mund të marrësh pjesë në tender”, tha kryeministri.
Nuk kanë mbetur jashtë vëmendje dhe tensionet e fundit ndëretnike në Maqedoni ku Berisha dënoi akte të tilla, në raport me reformat që ky vend po bën.
“Sipas të gjitha informacioneve, autoritetet maqedonase kanë bërë përpjekjet dhe po bëjnë përpjekjet për zbatimin e ligjit. Ne kemi kontakte me autoritetet dhe forcat politike. Veprimi i shëmtuar është vrasja e peshkatarëve por e shëmtuar dhe e papranueshme edhe projeksioni në akuza kolektive. Autorët duhen gjetur dhe vendosur para drejtësisë. Këtu nuk ka asnjë qëndrim tjetër. Natyrisht, është absolutisht në të kundërtën me interesin e shumicës që këto incidente të bëhen shkas për të nxitur konfliktualitet të marrëdhënieve ndër etnike. Paqeja dhe stabiliteti i Maqedonisë është interes jetik i shqiptarëve. Kufijtë aktualë janë interesi më i mirë kombëtar i shqiptarëve”, theksoi Berisha.
Ndërsa duke mbetur tek veriu i Kosovës ai u shpreh se ngjarjet atje janë rikthim në kohën e Millosheviçit. Më tej ai shtoi se pamja e dy policëve të lidhur e të shtrirë si armiq dhe një akt terrorist ndaj një qytetari dhe familjes së tij janë rikthim në modelin e Millosheviçit. “Në Serbi ka një periudhë elektorale por kjo nuk mund të justifikojë këto qëndrime ndaj dhe uroj e shpresoj që marrëveshja e arritur në Bruksel të zbatohet me interesin më të mirë të Prishtinës dhe Beogradit. Vlerësoj faktin se Beogradi hoqi dorë nga zgjedhjet lokale në veriun e Mitrovicës”, theksoi Berisha.