20 fëmijë me HIV/AIDS, e kanë mbartur nga nëna

Prezantimi i raportit
Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar numrin e fëmijëve me HIV, që e kanë mbartur virusin nga nëna gjatë lindjes.
Sot janë rreth 20 fëmijë me virusin HIV, të cilët e kanë mbartur nga nëna gjatë shtatzënisë, dhe 6 fëmijë të tjerë e kanë mbartur virusin vdekjeprurës nga transfuzioni gjakut. Këtë fakt e bën të ditur Marjeta Dervishi nga Programi Kombëtare i HIV/AIDS, në ISHP.
Gjithashtu, një grua shtatzënë HIV pozitiv ka arritur që të lindë fëmijën e saj pa transmetuar virusin vitin e kaluar, ndërsa pak vite më parë një tjetër ka abortuar pikërisht për shkak të frikës së përcjelljes së virusit tek fëmija.
Ndërkohë, programi për parandalimin e transmetimit të HIV-it nga nëna tek fëmija në Tiranë, përmes rritjes së ndërgjegjësimit, rezulton se ka rritje të informacionit dhe ndikimi është pozitiv.
Prezantuesja e projektit, Altina Peshkatari tha se duhet të rritet mbështetja e përshkallëzimit të ndërhyrjes në shërbime të tjera, përderisa rezultatet sugjerojnë që popullata duhet të dijë ku të shkojë e të mbrojë shëndetin e vet dhe të fëmijës.
Sipas Dervishit, janë 513 raste të identifikuara HIV pozitiv, 70 % e të cilëve meshkuj dhe 30 % femra. Rasti i parë HIV pozitiv në vend u identifikua në 1993. /E.L/