E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Halili: Do të shihni një Tiranë surprizë!

Tiranë - Refik Halili do të jetë president i klubit të Tiranës edhe për sezonin e ardhshëm. Ky është vendimi i mbledhjes së kryesisë, në të cilën morën pjesë Shefi i klubit Tirana, Rauf Dimraj, donatori Halili, drejtori teknik, Alban Tafaj, dhe anëtari i kryesisë, Riza Icka. Ndërkohë, në mbledhje munguan sërish ish-donatorët, Avni Nuri, Agron Papuli dhe Shefikat Ngjela.

Në sezonin që sapo u mbyll klubi u drejtua nga Halili, i cili mbuloi i vetëm 80% të fondeve, dhe vetëm 20% ishin kontributi i donatores Shefikat Ngjela. Aktualisht, për të plotësuar shumën e 1 miliardë lekëve të nevojshme për menaxhimin cilësor të skuadrës në sezonin e ri, Bashkia e Tiranës, si zotëruese e klubit, duhet të japë 200 milion lekë të vjetra.

Refik Halili nisi sot procedurat e zyrtarizmit të këtij vendimi, ku ka paraqitur në klub shkresat me kontratat e lojtarëve, të cilat duhet të firmosen dhe nga klubi.

“Do ishte mirë të ishim të gjithë bashkë, deri në momentin kur klubi të shndërrohej në shoqëri aksionare. Gjithsesi, kolegët e mi nuk erdhën dhe kjo nuk është hera e parë. Nëse ata vendosin e vijnë, atëherë dera është e hapur, jam dakord, por ka kushte, që rrjedhin nga marrëveshjet që duhen zbatuar. Ka një kufi në lidhje me veprimet e tyre, pasi ashtu siç i zbatoj unë rregullat, duhet t’i zbatojnë edhe ata. Si mund të jesh donator i Tiranës kur nuk derdh asnjë lek në arkën e klubit. Duhet të paguash që të quhesh sponsor. Gjithsesi, ju garantoj se do të bëj një skuadër surprize”, premtoi Refik Halili.

Ndërkohë, shefi i klubit, Rauf Dimraj nënvizoi: “Falënderoj zotin Halili për vullnetin që po tregon dhe për kontributin e tij ndaj klubit. I kërkova të më sjellë shkresat për nisjen e bërjes së kontratave të reja, për të nisur kështu punën. Më vjen keq që pjesa tjetër e donatorëve nuk ishin te pranishëm dhe është fatkeqësi që në vend që të masivizojmë sponsorizimin, ne nuk bëjmë dot bashkë sponsorët që kemi”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›