E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emërohen tre gjyqtarët ndërkombëtar në krye të GJK

Prishtinë -Janë emëruar në krye të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, edhe tre gjyqtarët ndërkombëtar. Vendimi është marrë nga përfaqësuesi civil ndërkombëtar, Pieter Feith, i cili ka emëruar Snezhana Botusharova-Doicheva (Bullgari), Robert Carolan (SHBA) dhe Almiro Simoes Rodrigues (Portugali). Këta do të jenë pjesë e ekipit ku bëjnë pjesë edhe gjashtë homologët e tyre vendorë, duke kompletuar kështu ekipin, i cili do ta kryesojë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe do të jenë autoriteti përfundimtar në interpretimin e Kushtetutës.

“Së bashku me homologët e tyre vendorë, gjykatësit ndërkombëtarë do ta përbëjnë një ekip të vetëm dhe para së gjithash do të jenë roje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”-tha ndër të tjerash Feith. Emërimi i këtyre gjykatësve – ka shpjeguar Feith - është bërë në konsultim të ngushtë me Zyrën e Kryetarit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Secili nga këta të emëruar është jurist i dalluar me një sfond të shkëlqyeshëm profesional. Kam besim se ata do të japin kontribut të çmueshëm në këtë institucion gjyqësor të sapoformuar në Kosovë”, ka thënë ai. “Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës së Kosovës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Formimi i saj është një ngjarje kyçe për sundimin e ligjit në Kosovë”, është shprehur me këtë rast Feith. (start/telegrafi)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›