Presidenti Nishani dekreton ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Dekretohet edhe ligji për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore
Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ka dekretuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në njoftimin nga zyra e shtypit pranë Presidencës, bëhet e ditur se në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Shqipërisë, kreu i shtetit dekretoi shpalljen e Ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””. Dekreti presidencial vjen pasi mazhoranca dhe opozita votuan me konsensus ndryshimet në ligjin zgjedhor.
Në seancën plenare të datës 19 korrik, pas diskutimeve, Kuvendi miratoi me 127 vota pro, dy kundër dhe 3 abstenim ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Për të mbërritur në këtë moment, Kuvendi ngriti komisionin e posaçëm parlamentar, i cili punoi mbi rekomandimet e ofruara nga OSBE/ODIHR, pas zgjedhjeve politik te vitit 2009 dhe atyre lokale të majit 2011.
Gjithashtu, mësohet se Presidenti i Republikës Bujar Nishani, ka dekretuar gjithashtu edhe Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”. Ligj i cili u miratua me konsensus mes shumicës dhe pakicës parlamentare të seancën e 26 Korrik.