E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Obama drejt Arabisë Saudite për takime me mbretin Abdullah

Presidenti është nisur për në Rijad të Arabisë Saudite ku do të takohet me mbretin Abdullah. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Polla Ulfson njofton se Arabia Saudite do të jetë ndalesa e parë e vizitës së Presidentit, i cili do të vizitojë edhe Egjiptin ku do të mbajë një fjalim të rëndësishëm. Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe një sërë ceremonish në Francë në përkujtim të ndërhyrjes së aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E enjtja do të sjellë pikën kultimante të vizitës, ku Presidenti do të mbajë fjalimin e shumpritur drejtuar myslimanëve nëpër botë në Kajro. Por para Egjiptit, zoti Obama do të ndalojë në kryqytetin e Arabisë Saudite, Riad, ku do të zhvillojë një takim privat me mbretin saudit.

Dy udhëheqësit do të flasin në fermën e Mbretit Abdullah, ku Presidenti do të kalojë natën. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibs, parashikon një vizitë të ngjeshur me bisedime përfshirë edhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme si dhe shqetësimet mbi ambiciet bërthamore të Iranit.

Gjatë takimit pritet të diskutohen edhe rritja e çmimit të naftës si edhe planet e presidentit Obama për të ulur varësinë amerikan nga prodhuesit e huaj të naftës.  Gjatë një takimi kohët e fundit me gazetarët, Presidenti tha se do të fliste haptazi me mbretin Abdullah.

"Do të jem i sinqertë me të. Kemi krijuar një marrëdhënie të mirë së bashku. Do t'i them Mbretit që qëllimi ynë për të ardhmen e afërt nuk do të jetë të eliminojmë nevojën për importet e naftës. Qëllimi ynë është që të çojmë përpara zgjidhje ambjentaliste të cilat do ta forcojnë ekonominë tonë, do të hapin vende të reja pune dhe do të shtojnë burimet energjitike”.

Ky do të jetë takimi i parë i gjatë kokë më kokë mes dy udhëheqësve që kur zoti Obama u zgjodh President. Ekspertët besojnë se do të ketë shumë takime të tjera mes tyre. Xhon Alterman drejton Programin për Lindjen e Mesme në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

"Besoj se brenda vitit marrëdhëniet amerikano-saudite do të jenë edhe më të forta; mendoj se vizita e Presidentit është diçka e mirë”.

Zoti Alterman thotë se Presidenti e kupton se mbështetja saudite do të ketë një rol shumë të rëndësishëm për procesin e paqes në Lindjen e Mesme.  Sipas tij, do të ishte shumë mirë që Riadi të bashkëpunonte me Amerikën.

Presidenti Obama nuk do të dalë para publikut në Riad, krejt ndryshe nga vizita e tij në Kajro. Fjalimi i tij në universitetin e Kajros ditën e enjte do të transmetohet anembanë botës.

Gjatë fjalimit, zoti Obama nuk pritet të paraqesë ndonjë propozim të ri, por ka për qëllim të zbusë tensionet mes Amerikës dhe botës myslimane të cilat janë shtuar si pasojë e  luftës në Irak si dhe nga mungesa e përparimit në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.//ek

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›