E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhdukja e Remzi Hoxhës, pyeten 5 punonjës të SHIK-ut

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Dosja “Remzi Hoxha”

Pesë dëshmitarë, punonjës të SHIK-ut, kanë dhënë dëshminë e tyre në Gjykatën e Krimeve të Rënda për zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha. Ish-drejtues dhe punonjës të SHIK janë treguar tepër të rezervuar në dëshminë e tyre, duke mos dhënë asnjë përgjigje të vlefshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Edhe pas insistimit të prokurorit të çështjes për të nxjerrë ndonjë të dhënë të vlefshme, dëshmitarët janë justifikuar duke pohuar se ka kaluar një kohë e gjatë dhe ata nuk mbanin mend të kishin dëgjuar për ndonjë histori të tillë. Për më tepër, të pesë dëshmitarët kanë thënë se nuk e njihnin as Remzi Hoxhën dhe as Ziso Kristopulin e Avdyl Loshajn. Pesë prej tyre, mes të cilëve edhe ish-kryetari i SHIK-ut të Lezhës apo edhe personi që arkivonte dokumente në SHIK, janë paraqitur në gjykatë, duke iu përgjigjur jo vetëm prokurorit, por edhe pyetjeve të gjykatësve.
Me gjithë insistimin e prokurorit për të mësuar prej Aleks Nikhasanajt, ish-drejtues i SHIK-ut në Lezhë, se si funksiononte dega e Vainit, dëshmitari tha se nuk dinte gjë, pasi sipas tij, kjo bazë e shërbimit sekret nuk varej prej tij.
Dëshmitë
Kadri Rrapi, Eduart Çoku, Ilirjan Dema, Ahmet Koka, ish-punonjës të SHIK-ut, janë paraqitur dje në gjykatë si dëshmitarë të thirrur nga organi i akuzës. Të katër ish-efektivët e shërbimit informativ kanë pohuar se nuk kanë pasur dijeni për ngjarjen. Ata kanë pohuar se kanë qenë punonjës të SHIK-ut nga viti 1992 deri në 1996, por nga drejtuesit e tyre ata nuk merrnin informacion se çfarë veprimesh bëheshin nga kolegët e tyre. Ata kanë pohuar se kishin informacion vetëm për misionet që ata kryenin vetë. Sipas tyre, në atë kohë nuk kanë pasur dijeni për këtë çështje, por më vonë, nëpërmjet mediave, ata kishin mësuar se në Vain ishin mbajtur tre persona, njëri prej tyre ishte Remzi Hoxha, por nuk kishin informacion për asnjë nga personat e marrë peng. Gjithashtu, dëshmitar në seancën e djeshme ka qenë edhe ish-drejtuesi i SHIK-ut në Lezhë, Aleks Nikhasanaj. Nikhasanaj ka pohuar se Vaini ishte i varur nga Tirana dhe SHIK-ut të Lezhës nuk i jepej informacion për atë çka kryhej aty. Ai ka pohuar se në misionet që kryente SHIK-u i Tiranës, dega e Lezhës nuk merrte pjesë ndaj dhe nuk kishin dijeni për personat e torturuar në Vain.
Gjyqi
Për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, në bankën e të akuzuarve janë ulur 4 ish- shikas: Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi. Veç zhdukjes së biznesmenit shqiptaro-maqedonas, mbi supet e ish-shikasve, rëndojnë dhe akuzat e rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt. Prokuroria ngre dyshimet se personat e akuzuar, në bashkëpunim me njeri- tjetrin kanë marrë peng Remzi Hoxhën dhe pas torturimit e kanë ekzekutuar atë. Ende nuk është dhënë një vendim nga gjykata për fajësinë apo jo të të akuzuarve, por prokuroria ka ngritur dyshime të forta se biznesmeni shqiptaro-maqedonas është zhdukur nga SHIK-u më 21 tetor të vitit 1995. Sipas informacioneve të marra nga hetimet e kryera dhe nga dëshmitarët, ka dalë se Remzi Hoxha dyshohej se ishte agjent sekret i Serbisë, ndaj edhe nga ana e strukturave të SHIK-ut është bërë përgjimi i tij dhe më pas marrja peng dhe torturimi i tij në Vain të Lezhës. Që prej asaj dite, Remzi Hoxha është deklaruar i zhdukur dhe ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e trupit të tij.

Ky lajm është publikuar: 03/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›