E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërrohet krejtësisht rruga “Aleksandër Goga”

10/12/2009  Bashkia nuk ndërhyn

DURRES- Investimi në një nga rrugë kryesore të Durrësit e ka transformuar zonën pranë qendrës së qytetit në një kaos për shkak të fluksit të madh të qarkullimit të mjeteve. Rruga “Aleksadnër Goga” ka paralizuar aktivitetin në pjesën kryesore të qytetit ku gjendet bashkia, prefektura, qarku, gjykata, Prokuroria dhe shëtitorja e qytetit. Ajo është shkatërruar në shumë pika duke u bërë edhe pengesë serioze në trafikun e mjeteve. Për rindërtimin e rrugës që nis tek prefektura për të përfunduar në Spitallë, thuhet se janë gati të investohen 2 milionë dollarë dhe se ka përfunduar tenderimi. Por në rrugë duken fare pak mjete për të mos thënë asnjë, veç një makinë gërryese asfalti dhe dy kamionë që transportojnë mbetjet nga asfalti i dëmtuar, nuk ka të tjera mjete në punë. Rruga është 6.5 km e gjatë dhe pas vitit 1996 ka ngrënë miliona lekë e qindra e mijëra dollarë për t’u ribërë, ndërkohë që mbetet ndër rrugët më problematike në bashki. Problematike paraqitet rruga tek kryqëzimi pranë Drejtorisë së Policisë, në vendin e quajtur Dyli, një tjetër kryqëzim i dëmtuar rëndë nga mjetet e rënda, pranë SIAC-ut, tek Makaronat dhe deri në Spitallë. Gropat e mëdha, dëmtimi i asfaltit nga mjetet e tonazhit të rëndë që përshkojnë këtë rrugë për në Porto Romano, trajlerat e panumërt dhe botet me karburant e gaz kanë prishur shumë strukturën e rrugës. Nga ana tjetër në të gjithë gjatësinë e saj nuk ka asnjë kapak pusete të kanalit që përshkon rrugën mes për mesi. Rruga “Aleksandër Goga” është ndër më kryesoret dhe shumë e rëndësishme pasi në gjatësinë e saj gjendet spitali rajonal dhe dy vendpërqendrimet e varrezave qytetëse duke mbetur rruga më e rrahur gjatë gjithë ditës dhe natës. Kjo rrugë është riparuar e arnuar disa herë, por asgjë nuk është zgjidhur duke groposur në baltë të gjitha investimet. Pakujdesia e drejtuesve të mjeteve ka bërë që shumë prej tyre të përfundojnë në gropat dhe në pusetat e rrugës, ndërsa qytetarë me biçikleta, motorë apo edhe këmbësorë kanë pësuar dëmtime serioze. Për të shpëtuar nga fatkeqësitë banorët që kanë shtëpitë pranë këtyre pusetave të rrugës kanë vendosur në mes të gropës goma të mëdha, kartonë, shkurre, teneqe, shtylla dhe çfarë kanë mundur për të tërhequr vëmendjen e drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve. Bashkia në raste të tilla ka qëndruar indiferente, ndërkohë që ajo nuk ka ndërhyrë as në ato pjesë rruge apo trotuare që janë dëmtuar qëllimisht. Si në këtë rrugë edhe tek rruga “Mujo Ulqinaku” firmat kanë prishur në mënyrë të qëllimtë rrugën, trotuarin, ndriçimin rrugor dhe gjelbërimin duke mos marrë përsipër asnjë lloj kostoje. Edhe pse bashkia ka pasur zëra qytetarë që kanë protestuar ndaj këtyre rasteve, asnjë lloj reagimi nuk ka ardhur nga institucioni duke u lënë shteg subjekteve të mos marrin përsipër koston e riparimit. Nga ana tjetër, kryesisht në rrugën “Aleksandër Goga”, por jo vetëm aty, ka ndërprerje të rrugës nga kanale të hapura për shtirjen e paligjshme të ujit të pijshëm. Vet familjarët e dëmtuar nga këto ndërhyrje kanë mbuluar gropat, kanë mbyllur kanalet apo kanë bërë ç’kanë mundur për ta riparuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›