E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohen semaforët, kaos në rrugët e brendshme

10/12/2009  Akuza mes policisë dhe bashkisë

DURRES- Prej disa vitesh bashkia dhe sektori i Policisë Rrugore shkëmbejnë akuza duke kaluar përgjegjësinë e prishjes dhe mosfunksionimit të semaforëve sa tek njëra palë, tek tjetra. Semaforët nuk punojnë në asnjë kryqëzim rruge në Durrës duke u bërë burim aksidentesh deri me pasoja për jetën e kalimtarëve dhe qytetarëve të lagjeve pranë këtyre nyjeve rrugore. Në bashki është thënë se sinjalisitka elektronike është në varësi të Inspektoratit të Policisë Rrugore, kurse uniformat e policisë kalojnë përgjegjësinë tek bashkia. Kështu në kryqëzimin pranë stacionit urban të Shkozetit, tek Ura e Dajlanit, pranë Rrotës së Qerres, në disa pika përgjatë rrugës së Plazhit, pranë kryqëzimit të stadiumit “Niko Dovana”, tek rruga e re në Kënetë dhe në disa pika të tjera semaforët kanë mbetur në gjendje pasive. Bllokimi i semaforëve ka paralizuar trafikun, ndërsa nga ana tjetër ka shkaktuar incidente dhe aksidente të shumta. Efektivat e Policisë së Qarkullimit Rrugor kanë mundur të patrullojnë dhe të mbulojnë me shërbime së paku në dy turne vetëm katër nga kryqëzimet, kurse tek semaforët e tjerë prania e policisë është vënë re në rastet e aksidenteve për t’u larguar pak minuta më pas. Sipas një relacioni që Inspektorati i Policisë Rrugore ka dërguar në Drejtorinë e Policisë mësohet se 70 për qind e aksidenteve dhe karamboleve ndodhin në kryqëzim apo fare pranë tyre. Policia disa herë e ka pasur të vështirë të fajësojë palët në konflikt lidhur me ndonjë aksident pasi nuk ka mundur asnjëherë të kuptojë se cili ka pasur të drejtë kalimi dhe cili duhej të priste kalimin e tjetrit. Rrethrrotullimi tek Ura e Dajlanit dhe në Shkozet ka ulur ndjeshëm numrin e aksidenteve, duke shtyrë policinë të mendojë për të ndërmarrë zgjidhjen e duhur. Janë 6 viktima gjatë këtij viti vetëm në kryqëzime rruge brenda në qytet, të cilat janë shkaktuar vetëm nga mosfunksionimi i semaforëve. Ndërsa polica dhe bashkia nuk kanë ndërprerë akuzat mes tyre. Nga ana tjetër numri i viktimave të aksidentuar është më i madh duke i bërë këto kryqëzime si shumë problematike. Efektivat e policisë së qarkullimit rrugor mendojnë se zgjidhja e vetme mbetet ndërtimi i rotondove si e mundshme për të ulur rastet e aksidenteve dhe për të shmangur ndjeshëm viktimat. Bashkia ka lënë mënjanë miliona lekë të planifikuar për riparimin e semaforëve, por realisht semaforët nuk kanë qenë në gjendje pune as në verë e as në dimër. Madje kjo është ndier shumë në kohën e pikut të ardhjes së emigrantëve me rastin e pushimeve stinore në verë dhe në ndërrimin e viteve. Shefi i seksionit të policisë së qarkullimit rrugor, Hemal Lushaj, ka thënë se ka paraqitur në bashki një projekt për të zgjidhur problemin e mbartur në këto 4-5 vitet e fundit. Sipas Lushaj, zgjidhja duhet kërkuar tek funksionimi semaforëve dhe më pas zëvendësimi pjesë-pjesë me rrethrrotullim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›