Presidenti Tadiç thirret në gjykatë për përdorim alkooli
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, është thirrur për t’u paraqitur para Gjykatës së Beogradit më 1 dhjetor. Sipas fletëthirrjes, Tadiç akuzohet për përdorim alkooli në mjedise sportive. Agjencia serbe e lajmeve B92 shkruan se Presidenti Tadiç ka konsumuar alkool (shampanjë) së bashku me ministrin e Sportit dhe kreun e Federatës së Futbollit serb. Konsumi i pijeve alkoolike në ambientet sportive dënohet nga ligjet serbe me një gjobë nga 150 deri në 1,500 dollarë në Serbi, pasi konsiderohet vepër penale. Në fakt, në gjyq nuk është thirrur vetëm presidenti i Serbisë, por edhe dy zyrtarët e tjerë. Gjithçka ndodhi nga entuziazmi pas ndeshjes mes Serbisë dhe Rumanisë, ku Serbia fitoi kualifikimin për Botërorin 2010. Fotografët kanë mundur ta kapin momentin kur Tadiç ishte me gota të mbushura me shampanjë në stadium. Muajin e kaluar Presidenti serb tha se është i gatshëm të paguajë gjobën, por është mbrojtur, duke këmbëngulur se ai vetëm ngriti dolli dhe nuk e piu shampanjën.