Presidenti Topi: “Gjyqtarë, ruhuni nga sekserët!”
Presidenti Bamir Topi, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u është drejtuar sërish me gjuhë të ashpër gjyqtarëve dhe kërkon një kontroll më të fortë për çështje që kanë ndjeshmëri në publik. Në mbledhjen e djeshme të KLD-së, presidenti Topi, në fjalën e tij, ka kërkuar ndërtimin e një sistemi të fortë kontrolli për “çështje me ndjeshmëri të lartë”.
“Drejtësia penale është prova e fundit e funksionimit të Drejtësisë. Duhet të fitojmë betejën kundër krimit”, - ka deklaruar presidenti Topi në mbledhjen e KLD-së. Kreu i shtetit u ka bërë thirrje punonjësve të sistemit të Drejtësisë të hedhin poshtë çdo tentativë për ndërhyrje dhe të denoncohet çdo abuzim e shkelje.
"Dua të bëj një thirrje që u adresohet të gjithë punonjësve, qoftë në sistemin e Prokurorisë apo në gjykata, që të hedhin poshtë çdo lloj tentative për influencat, ku disa persona marrin dhe rolin e sekserëve, duke përdorur dhe emra individësh që mund të jenë në pushtet. Mos operoni në mënyrë informate! Kjo thirrje vjen sot duke iu referuar në radhë të parë të gjithë atyre personave që mund të përdorin emrin e Presidentit apo të çdo personi tjetër. Keni përgjegjësi ligjore e institucionale të denonconi çdo ndërhyrje. Nuk mund të ketë barazi para ligjit nëse tentohet nga hallka intermidiale kërkojnë të deformohet vendimi i trupës gjykuese, nëse ju nuk i denonconi. Vetëm në këtë mënyrë ne do të bëjmë të mundur pastrimin e ambienteve nga njerëz që kërkojë të përfitojnë nëpërmjet paraqitjes formale për të deformuar vullnetin e trupit gjyqësor", - deklaroi Topi. Në kuadër të zbatimit të reformave në Drejtësi, si kusht për integrimin në BE, presidenti ka kërkuar që institucioni që ai drejton, KLD-ja, të bashkëpunojë me Ministrinë e Drejtësisë për të rritur eficiencën e autoritetin e sistemit gjyqësor. “Duhet një dinamizëm i ri nëpër gjykata. Gjyqësori duhet të rrisë performancën, pasi shpesh qytetarët janë të pakënaqur nga ai.
Nënkryetari Kreshnik Spahiu: “Gjyqtarët po japin vendime me dy standarde”
Edhe nënkryetari i KLD-së ka shfaqur shqetësimin se shpesh proceset zgjaten në mënyrë të pajustifikueshme dhe një çështje mund të trajtohet me 2 standarde. Spahiu ngriti dje shqetësimin se janë vërejtur disa vendime për çështje të njëjta ku gjyqtarët mbajnë qëndrime të ndryshme.
23 Shtator 2009