E Diel, 1 Nëntor 2026

Rusmali: “Opozita duhet të japë kontribut për reformën në Drejtësi”



Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, Ilir Rusmali, në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni, e cila është e para për këtë sesion parlamentar, i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend. Rusmali u shpreh se Komisioni i Ligjeve ka një traditë të mirë bashkëpunimi me opozitën për reformat e rëndësishme, e cila nuk duhet humbur. Ai i bëri thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe të japë kontributin e saj, veçanërisht për reformën në Drejtësi, e cila kërkon shumicë të cilësuar votash. “Unë besoj që ky komision ka trashëguar një traditë shumë të mirë bashkëpunimi me opozitën nga legjislatura e kaluar, të cilën ne duhet ta zhvillojmë më shumë dhe kemi të gjithë potencialin për ta zhvilluar më shumë. Në këtë komision janë kapacitetet më të larta profesionale që ka ky vend në fushën e ligjeve. Sigurisht që ne e kemi filluar punën në këtë komision pa praninë e opozitës. Reforma në drejtësi kërkon jo vetëm prezencë dhe bashkëpunim, por kontribut real të opozitës në mënyrë që ajo të jetë reformë e qëndrueshme e afatgjatë. Sigurisht kur ata të jenë bashkë me ne në komision, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që na takon si parlamentarë, por do të kërkojmë edhe kontributin e Ekzekutivit që reforma në Drejtësi të ecë përpara. Ne kemi trashëguar nga legjislatura e kaluar një ligj shumë të rëndësishëm që i përket kësaj reforme. Ligjin për Gjykatën Administrative, për të cilën ka një kërkesë insistuese nga biznesi. Ky është ligj emblematik i bashkëpunimit me opozitën dhe është keqardhje që ai ligj të flejë në sirtar dhe të mos kalojë në Parlament”, - është shprehur Rusmali.

Konferenca e Kryetarëve miraton kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, mblodhi dje Konferencën e parë të Kryetarëve për këtë legjislaturë. Në këtë mbledhje bënin pjesë kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nënkryetarët, Nasip Naço dhe Ardian Turku, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së Astrit, Patozi dhe kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së, Lefter Koka. Gjatë mbledhjes së djeshme Konferenca e Kryetarëve miratoi me konsensus kalendarin 3-javor të punimeve, 22 shtator-19 tetor 2009, si dhe programin e punës 22 shtator-16 nëntor 2009. Në konferencë morën pjesë edhe kryetarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Në rendin e ditës së punës së një prej komisioneve më të rëndësishme parlamentare siç është ai i Ligjeve, është parashikuar shqyrtimi dhe miratimi i disa marrëveshjeve midis Shqipërisë dhe Komisionit Europian, si dhe projektligji për Mbrojtjen e Dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Ky ligj është parashikuar të shqyrtohet në mbledhjen e datës 29 shtator. Ndërsa në mbledhjen e datës 30 shtator është parashikuar shqyrtimi i projektligjit “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”. Ky projektligji i miratuar së fundi nga Këshilli i Ministrave vlerësohet si mjaft i rëndësishëm pasi parashikon zhvillimin e provimit të shtetit për të gjithë personat që përfundojnë studimet e larta dhe që kërkojnë të punësohen në institucionet shtetërore. Pretendohet se ky ligj do t’i japë fund nepotizmit dhe korrupsionit në Shqipëri dhe do të krijojë mundësinë e punësimit për personat më të përgatitur profesionalisht.

23 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›