E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: Politika ti rikthehet dialogut

TIRANE-Presidenti Bamir Topi ka diskutuar situatën më të fundit politike në vend mes përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant’ Exhidios”, Imzot Vinçenco Palian, që ndodhej sot në Tiranë.

Sic bën të ditur zyra për shtyp, e Presidentit Topi, edhe në këtë takim që Kryetari i Shtetit shqiptar zhvilloi me Imzot Palian u diskutua për zhvillimet e fundit dhe situatën në Shqipëri, që ka ngjallur shqetësim jo vetëm tek qytetarët shqiptarë, por edhe tek dashamirësit e vendit tonë kudo.
“Këto zhvillime kanë pushtuar jo vetëm diskursin politik, publik, shoqëror, por edhe mendjet e qytetarëve shqiptarë, të cilët aspirojnë vlera demokratike e evropiane të sjelljes dhe përgjegjësisë politike, shtetërore dhe institucionale”, vuri në dukje Presidenti Topi.
Gjithashtu, Kryetari i Shtetit vuri në dukje se duhen respektuar institucionet e pavarura kushtetuese dhe se duhet hequr dorë nga retorika e ashpër për t’iu rikthyer dialogut konstruktiv politik e institucional dhe për t’u përgatitur e zhvilluar sipas standardeve zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit 2011.

Nga ana e tij, Imzot Vinçenco Palia vlerësoi rolin e ekuilibruar dhe moderator të dëshmuar nga Kryetari i Shtetit në këtë situatë dhe nënvizoi rëndësinë e përballimit së saj me maturi dhe përgjegjshmëri, duke ritheksuar domosdoshmërinë e vendosjes së dialogut konstruktiv mes palëve politike dhe gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes institucionale, që do t’i shërbente më së miri edhe aspiratës integruese të Shqipërisë në familjen evropiane.

Presidenti Topi dhe Imzot Palia diskutuan edhe për situatën në Ballkan duke theksuar se rajoni ynë tashmë ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri dhe të gjitha vendet e tij janë të projektuara qartë drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë pikë, Imzot Palia vuri në dukje rolin e rëndësishëm dhe pozitiv të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon në drejtim të ruajtjes dhe forcimit të qëndrueshmërisë dhe bashkëpunimit mes të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit tonë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›