E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi me Urdhrin “Gjergj Kastritoti Skënderbeu”.

19 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në shenjë vlerësimi dhe nderimi të lartë për rolin shumë të rëndësishëm të z. Thaçi në luftën për fitoren e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit të ri demokratik të Kosovës që shërben si faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan e më gjerë.

Në ceremoninë solemne me këtë rast, pas ekzekutimit të himnit kombëtar të Republikës së Shqipërisë dhe leximit të dekretit, Presidenti Topi i dorëzoi z. Thaçi urdhrin e lartë së bashku me dekretin përkatës.

Në prani të të ftuarve në ceremominë zyrtare të dekorimit, kryetarëve të grupeve parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, Astrit Patozi (PD), Arian Madhi (PR), Neritan Ceka (PAD), Pashk Ujka (PDK), Pëllumb Xhufi (LSI-PDS), Petrit Gjoni (PAA), Skënder Gjinushi (PSD), Tritan Shehu
(PDR), Valentina Leskaj (PS) dhe Vangjel Dule (PBDNJ), Drejtorit të Kabinetit të Presidentit, z. Dashamir Xhaxhiu, anëtarëve të tjerë të këtij kabineti, si dhe në prani të pjesëtarëve të delegacionit zyrtar, që shoqëron Kryeministrin e Kosovës në kuadër të vizitës së tij në vendin tonë, z. Thaçi u shpreh:

“Zoti Topi, President i Republikës së Shqipërisë,

Ju falenderoj për respektin ju si dhe institucionet e shtetit të Shqipërisë, popullin e Shqipërisë. Është një nder që më bëhet mua si Kryeministër i Kosovës, që i bëhet Kosovës dhe popullit të saj. Për Kosovën ky nder është një përgjegjësi e re, për mua që ne si vend që kaluam nga një luftë e tmerrshme në një fitore e madhe, në fitoren e tranzicionit demoktratik në të njëjtën kohë, në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe tani në një përgjegjësi të re për integrim në strukturat e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian. Edhe një herë krenohem me Shqipërinë, krenohem me shtetin e pavarur, sovran dhe demokratik të Kosovës.

Ju faleminderit zoti President!”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›