E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

19 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi mirëpriti sot në Presidencë, Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Duke i uruar mirëseardhjen në Shqipëri, Kryetari i Shtetit u shpreh veçanërisht i lumtur për këtë vizitë të parë të Kryeministrit Thaçi në vendin tonë si Kryeministër i një shteti të lirë, sovran dhe të pavarur. Presidenti vlerësoi se Kosova sot po jeton një moment historik kur një sërë vendesh të rëndësishme kanë njohur pavarësinë e saj, një proces ky që ka marrë një zhvillim të natyrshëm ku në vijimësi po thellohet prirja nga shumë shtete të tjera për njohjen e saj. “Kjo sot po bëhet një projeksion demokratik të një lidershipi të moderuar”, - është shprehur Presidenti Topi, duke theksuar se garancinë për këtë e kanë dhënë z. Thaçi, populli dhe institucionet e Kosovës.

Bashkëbiseduesit në këtë takim janë ndalur në mënyrë të veçantë në hapat dhe projektet konkrete në shërbim të zgjerimit, thellimit dhe konsolidimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis qeverisë dhe Parlamentit të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të gjitha institucioneve të tjera demokratike. Presidenti Topi dhe Kryeministri Thaçi shprehën vullnetin dhe angazhimin e përbashkët për të dhënë gjithë kontributin e tyre për një bashkëpunim sa më të frytshëm dhe intensiv mes dy popujve dhe vendeve tona në fusha me interes të ndërsjellë, në ekonomi, energjetikë, turizëm, arsim, kulturë e gjetkë. Në këtë kontekst u theksua se përfundimi sa më i shpejtë i rrugës Durrës – Kukës – Morinë do të jetë një kontribut madhor në këtë drejtim, sidomos përmes mundësimit të garantimit të lëvizjes së lirë të mallrave, si dhe të njerëzve.

Edhe një herë në këtë takim, Presidenti i Republikës vuri në dukje se në të gjitha takimet ndërkombëtare “ne kemi përfaqësuar institucionet dhe popullin e Kosovës dhe kemi triumfuar se jemi për një të drejtë”. Presidenti Topi shprehu besimin se Kosova do të përballojë me sukses të gjitha sfidat e saj të së ardhmes dhe së bashku, ne dhe Kosova do të jemi pjesë, me vlera, identitet, por edhe me dinjitet në familjen e madhe evropiane. “Nuk kam dyshim që Shqipëria dhe Kosova do të jenë shumë shpejt anëtare në NATO”, - nënvizoi Presidenti Topi, duke vënë në dukje se “siguria në Kosovë është siguria për rajonin ballkanik dhe interesat rajonale”.

Në këtë takim, përmes Kryeministrit Thaçi, Presidenti Topi i ka përcjellë urimet më të mira Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Nga ana e tij, Kryeministri i Kosovës, z. Thaçi, falenderoi Presidentin Topi për pritjen. Ai vuri në dukje se vizita e Presidentit Topi në Kosovë pak para shpalljes së pavarësisë ka qenë ndihmesë për ta. Kryeministri Kosovar theksoi se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të intensifikohet dhe konkretizohet në të gjitha nivelet, në të gjitha institucionet demokratike. “Ne duhet të kemi partneritet të shkëlqyer’, - u shpreh z. Thaçi. Sa i përket zhvillimeve në Kosovë vlerësoi se populli i Kosovës dhe institucionet e saj janë të vetëdijshme për sfidat që duhet të përballin, duke shtuar se “me koalicionin e madh që kemi jemi të kënaqur dhe mendoj kemi krijuar një traditë të mirë”.

Në përfundim të takimit, në mjediset e Presidencës u zhvillua ceremonia e dekorimit të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›