Fratini: “Do të liberalizojmë vizat nëse Shqipëria realizon reformat”
Shaban Sulçe
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, viziton Shqipërinë duke inkurajuar dhe mbështetur qeverinë shqiptare, në një prej periudhave më të vështira që nga koha e krijimit të saj. E gjendur përballë akuzave për korrupsion, skandale dhe varfërim ekonomik të vendit, qeveria shqiptare nuk është privuar nga marrja e vlerësimeve dhe mbështetjes nga ana e ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Fratini, i cili nuk ka hezituar të vlerësojë qeverinë dhe kryeministrin shqiptar për përpjekjet për realizimin e reformave për integrimin euroatlantik të Shqipërisë. “Berisha mbajti premtimet e Europës. Kjo i hap rrugën rezultateve që do të jenë të prekshme dhe të dukshme, duke filluar nga liberalizimi i vizave”, - tha kryediplomati italian në konferencën e përbashkët për shtyp që zhvilloi me kryeministrin shqiptar Sali Berisha në selinë e Kryeministrisë.
Marrëveshjet
Në të vërtetë, rezultatet e arritura ishin shumë më të ulëta sesa pritej nga kjo vizitë e nivelit të lartë të shtetit italian.
Gjatë takimit midis Berishës dhe Fratinit u nënshkruan 5 marrëveshje bilaterale, të cilat ishin: marrëveshja e konvertimit të lejeve të drejtimit (patentat); u firmos kontrata për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik “Tirana 2”, u firmos marrëveshja për financimin prej 5 milionë eurosh për program për mbështetje të bizneseve të vogla, si dhe kontrata për dhënien me koncesion të parkut industrial të Koplikut. Por qeveria shqiptare mori mbështetjen e Italisë për integrimin e saj në NATO nëse do të realizohen reformat dhe do të shpërndahen në kohë pasaportat biometrike. Sipas kryediplomatit italian, në rrugën drejt integrimit në BE shpërndarja e pasaportave biometrike është një hap pozitiv që do të përforcohet vitin e ardhshëm kur Shqipëria do të bëhet anëtare e plotë e NATO-s. “Integrimi varet nga reformat dhe rezultatet që duhet të arrijnë, për të cilat Shqipëria do të ketë gjithmonë mbështetjen e Italisë”, - tha Fratini.
Takimi me Topin
Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, u prit dje nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.
Në këtë takim, bashkëbiseduesit vlerësuan si të shkëlqyer nivelin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë në të gjitha fushat - politike, institucionale, ekonomike, tregtare, etj, - dhe në këtë kontekst u vu në dukje dhe vizita e suksesshme e Presidentit Topi në Itali, po ashtu dhe takimet miqësore të zhvilluara me personalitete të larta të vendit, përfaqësues të botës akademike, biznesit, etj. Kryetari i shtetit theksoi se zgjerimi e forcimi i marrëdhënieve me Italinë, sidomos rritja e shkëmbimeve tregtare-ekonomike dhe prania më e madhe e investitorëve italianë në vendin tonë, si dhe synimi për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes vendeve tona, përqendron domosdoshmërisht vëmendjen drejt çështjes së qarkullimit të lirë të njerëzve, për të cilën është e nevojshme të krijohen lehtësira të mëtejshme dhe në këtë drejtim. Në këtë drejtim, Presidenti Topi vlerësoi veçanërisht kontributin dhe përkushtimin e zotit Fratini.
Takimi me Bashën
Kërkesën për pajisjen e shqiptarëve me dokumente identifikimi dhe me pasaporta biometrike, shoqëruar me premtimin për liberalizimin e vizave, ministri i Jashtëm italian, Fratini, ia ka bërë dje edhe homologut të tij shqiptar Lulzim Basha. “Shpresoj që liberalizimi i vizave të arrihet në qershor të 2009-s, por kusht është pajisja e qytetarëve me dokumente të identifikimit dhe duhet të jenë të sigurta, si dhe lufta kundër krimit”, - tha Fratini në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me ministrin e Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha. Kryediplomati Frattini vlerësoi si mjaft të rëndësishme për integrimin e Shqipërisë në BE edhe reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore. Ai u bëri thirrje partive politike të bashkëpunojnë. “Reformat duhet të jenë në bashkëpunim të ngushtë me opozitën”, - theksoi Frattini, i cili vlerësoi si mjaft të frytshëm bashkëpunimin e Shqipërisë me Italinë.
28 Tetor 2008