E Diel, 1 Nëntor 2026

“MJAFT” proteston përballë Fratinit për diskriminimin e shqiptarëve



Vizita e ministrit të Jashtëm italian, Franco Fratini, është pritur me protesta nga ana e lëvizjes “MJAFT”. Lëvizja “MJAFT” protestoi dje kundër vendimeve të fundit diskriminuese të qeverisë italiane për të ndarë në shkolla fëmijët italianë nga ata emigrantë, si dhe kundër nismave të tjera në Itali që të ngjajnë, në fakt, më shumë me reforma raciste.
Gjatë kohës kur ministri i Jashtëm i Italisë Franko Frattini po hynte me delegacionin e tij brenda Kryeministrisë në bulevardin historik të Tiranës, aktivistët e lëvizjes MJAFT nxorrën një banderolë ku shkruhej në italisht “NO al RAZZISMO” (Jo racizmit). Ajo nuk ngeli pa u vënë re nga përfaqësues të delegacionit italian dhe nga fotoreporterë të ndryshëm, mes të cilëve edhe një i agjencisë prestigjoze Associated Press (AP).
Gjatë kësaj kohe, një makinë fuoristradë e “MJAFT”-it shpërndante me altoparlantë tingujt e “Giovinezza”, himnit të rinisë fashiste që u kompozua nga avokati dhe kompozitori Giuseppe Blanc në vitin 1909 e që u përdor nga regjimi fashist deri në Luftën e Dytë Botërore. Ky detaj u vu re në atë moment edhe nga disa kalimtarë të rastësishëm italianë. Ishte kjo forma e zgjedhur nga aktivistët shqiptarë për të ironizuar dhe kundërshtuar vendime të tilla diskriminuese, që rëndojnë edhe mbi jetët e mbi 400 mijë shqiptarëve në Itali. Aktivistja e “MJAFT”-it Elisa Spiropali tha:
“Ne mirëpresim takimet dypalëshe me fqinjët tanë italianë, por nuk mund të qëndrojmë të heshtur ndaj politikave të tilla diskriminuese të qeverisë “Berluskoni” ku bën pjesë dhe zoti Frattini, si : ndarja e shkollave për italianët e emigrantët, marrja e shenjave të gishtërinjve fëmijëve të emigrantëve apo dhe ndaj nismave të tjera që kanë sjellë një klimë dhe frymë raciste në Itali që kundërshtohet fuqishëm dhe nga opozita e atij vendi”.

28 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›