E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidentet, shënohen tre të vdekur dhe pesë të plagosur

Gjashtë aksidente me tre të vdekur dhe pesë të plagosur kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit, ndërkohë që policia ka arrestuar autorët. Aksidentet janë shkaktuar për shkaqe të ndryshme, por kanë mbizotëruar kushtet atmosferike. Burimet policore thanë se dy prej aksidenteve, ku është shënuar një i vdekur, kanë ndodhur në Tiranë. Sipas policisë, rreth orës 21.15 të së mërkurës, Ardian Plepi, 35 vjeç, banues në fshatin Armenas, Fushë-Krujë, duke drejtuar mjetin mikrobus TR 6190 D, në rrugën Fushë-Krujë-Vorë, tek Ura e Gjolës, ka dalë nga rruga dhe është aksidentuar me vdekje. Gjithashtu, është dëmtuar lehtë pasagjeri Mentor Noka, 27 vjeç, banues në Prezë. Në lidhje me një tjetër aksident, policia tha se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Albert Mezinin, 27 vjeç, banues në Prezë, me arsim 12 klasë, sepse në ora 17.30, në Fushë Prezë. Ky person, duke drejtuar mjetin Golf AF 366 JR, është përplasur me mjetin Golf KR 5079 A, të drejtuar nga shtetasi Ali Gani Gjoni, 48 vjeç, banues në Budëll dhe për pasojë janë dëmtuar të dy drejtuesit e mjeteve, të cilët ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, mbrëmjen e së mërkurës, në një rrugë dytësore në periferi të qytetit të Lushnjës, është aksidentuar për vdekje 63- vjeçari Ramazan Gjishti, i cili ka qenë duke ecur me motoçikletën e tij të tipit "Jamaha" pa targa, kur është goditur nga 55-vjeçari, Novruz Zojoku. Mësohet se dhe më parë autori i aksidentit është dënuar dhe më parë për veprën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor". Mësohet se autori ka rënë në prangat e uniformave blu të Lushnjës, ndërkohë që ndaj tij ka nisur procedimi penal. Po në këtë qytet, paraditen e djeshme një autobus me pasagjerë është përplasur me një furgon në aksin rrugor Divjakë-Çermë. Si pasojë e aksidentit janë plagosur dy shoferët. Sipas burimeve nga policia, drejtuesi i furgonit është në rrezik për jetën në spitalin e Lushnjës, ku ndodhet nën mbikëqyrjen e mjekëve. Ndërsa në Vlorë, paraditen e djeshme, në rrugën transballkanike është aksidentuar 35-vjeçarja Edlira Vegaj. Gruaja ka qenë duke ecur në rrugë, kur është përplasur nga një automjet tip trajler me targa VL 2305 C. E aksidentuara është dërguar menjëherë për në spital, ku ka gjetur vdekjen, ndërkohë që drejtuesi i automjetit është shoqëruar për në Komisariatin e Vlorës. Një aksident tjetër është regjistruar në Elbasan, ku si pasojë e përplasjes nga një makinë tip "Benz" ka mbetur i plagosur rëndë 20-vjeçari Emon Polaku. I riu ka qenë duke kaluar në vendin e quajtur "kryqëzimi i luleve", mbrëmjen e së mërkurës, kur është përplasur nga automjeti që drejtohet nga bashkëmoshatari i tij, Armand Çela. Burime zyrtare bëjnë të ditur se drejtuesi i mjetit është shoqëruar për në komisariatin e policisë dhe ndaj tij rëndon akuza e "shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›