Presidenti Topi dekreton shkarkimin e Nishanit si Ministër
Me dekret të posacëm Presidenti Bamir Topi ka dekretuar sot shkarkimin e Bujar Nishanit si Ministër i Brendshëm.
Në një njoftim zyrtar në faqen e Presidencës bëhet e ditur se Topi ka firmosur dekretin për shkarkimin e ministrit Nishani. “Në mbështetje të nenit 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të Kryeministrit, Zoti Bujar Nishani, ministër i Brendshëm, shkarkohet nga detyra”- thuhet në dekretin e Topit, i cili hyn në fuqi menjëherë.
Nishani, si emri i zgjedhur i shumicës për postin e kreut të ri të shtetit i kishte paraqitur dorëheqjen nga posti ministror kreut të qeverisë, Sali Berisha, i cili më pas ia përcolli propozim presidentit Topi. Kuvendi i Shqipërisë e votoi atë si President të Republikës me 73 vota pro, një kundër dhe dy të tjera ishin të pavlefshme. Në votim kanë marrë pjesë 76 deputetë, tre prej të cilëve nuk ishin pjesë e mazhorancës. Ndërsa deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë marrë pjesë në votim.
Bujar Nishani do të marrë zyrtarisht karrigen e Presidencës me 24 korrik, datë kjo që përkon me përfundimin e mandatit pesëvjecar të Presidentit aktual Bamir Topi.