Presidenti Topi dhe Komandanti i Përgjithshëm i FA-së viziton drejtues dhe ushtarakë të misionit tonë paqeruajtës në Bosnje-Hercegovinë. &

20 nëntor 2009
Sarajevë
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura pati sot një takim dhe bisedë të ngrohtë e miqësore me komandantin e EUFOR-it, Gjeneralin Major, Stefano Kastanjoto dhe me drejtues të lartë dhe ushtarakë të misionit tonë paqeruajtës në Butmir, në afërsi të Sarajevës, të cilët janë pjesë e Misionit ALTHEA të EUFOR-it në Bosnje-Hercegovinë.
Pasi u përshëndet nga afër me ta dhe u interesua për mbarëvajtjen e këtij misioni, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për profesionalizmin e lartë që forcat shqiptare paqeruajtëse kanë dëshmuar përgjatë gjithë shërbimit të tyre në Bosnje-Hercegovinë, sidomos specialistët xhenierë që rrezikojnë jetën e tyre përditë në përpjekje për të çaktivizuar minat e mbetura, dhe vlerësoi lart frymën bashkëpunimit të tyre me homologët e NATO-s, duke përmbushur me sukses të gjitha detyrat e caktuara. “Pjesëmarrja e Forcave të Armatosura shqiptare në misionet paqeruajtëse ka bërë që Shqipëria të kthehet nga konsumues i sigurisë në një vend që prodhon siguri”, - vuri në dukje gjatë këtij takimi Kryetari i Shtetit, ndërsa theksoi se “anëtarësimi i vendit me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut mbart për ushtrinë shqiptare tashmë sfida të rëndësishme për të përballuar dhe detyra të reja për të realizuar”.
Oficerët dhe ushtarët efektivë të kontigjentit të IV paqeruajtës shqiptar në Bosnje-Hercegovinë, pasi falenderua Presidentin Topi për vizitën dhe vëmendjen e madhe që u kushton forcave të armatosura në përgjithësi dhe ushtarakëve që shërbejnë jashtë atdheut, vlerësuan në mënyrë të veçantë këtë takim duke shprehur edhe njëherë gatishmërinë dhe vullnetin e tyre të palëkundur për t’i shërbyer ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë jo vetëm në rajonin tonë ballkanik, por edhe më gjerë.