E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë, Dimitris Droutsas.

20 nëntor 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Jashtëm Plotësues të Greqisë, zotin Dimitris Droutsas dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.

Pasi vuri në dukje marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Greqia i ka dhënë vendit tonë në rrugën e integrimit në strukturat euroatlantike. “Shqipëria ka demonstruar dhe vijon të demonstrojë vendosmëri në rrugën e saj për përmbushjen e aspiratës madhore për të qenë pjesë e familjes evropiane, e ndërgjegjshme që kjo rrugë nuk është e lehtë dhe shumë sfida duhen përballuar”, - nënvizoi Kryetari i Shtetit. Në këtë kuadër, Presidenti Topi vlerësoi nismën e Kryeministrit Papandreu që synon integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian deri në vitin 2014. Në këndvështrimin e Kryetarit të Shtetit kjo do të ndihmonte në lehtësimin e lëvizjes dhe komunikimin më të mirë mes popujve të këtij rajoni, që do të ndihmonte zhvillime të tjera pozitive dhe prosperitetin e tyre. Gjithashtu, gjatë bisedës Presidenti Topi foli dhe mbi domosdoshmërinë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Greqisë, që është në vëmendjen e shtetit shqiptar.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë, Dimitris Droutsas shprehu kënaqësinë për këtë takim me Presidentin e Republikës dhe për mikëpritjen. Ai i përcolli Kryetarit të Shtetit përshëndetjet nga Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias dhe Kryeministri Papandreu. Z. Droutsas vlerësoi si të shkëlqyera marrëdhëniet mes dy vendeve tona, që u nënvizua dhe u pa qartë përgjatë gjithë vizitës së tij në vendin tonë. Ministri i Jashtëm Plotësues i Greqisë ndau të njëjtin mendim me Presidentin Topi se si shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ashtu dhe pakicat greke në Shqipëri kanë krijuar një lidhje të veçantë që duhet ushqyer dhe të ruhet me kujdes. Në takimin me Presidentin Topi, z. Droutsas shprehu dhe një herë mbështetjen e Greqisë për Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›