E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dhe kryeministri Berisha vizitojnë Leka Zogun I

18/11/2011  Pretendenti për fron merr urime për shërim sa më të shpejtë

Petrala sqaron: Leka Zogu nuk ka kaluar asnjëherë gjendje kome

Presidenti Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha vizituan dje në repartin e neurokirurgjisë Leka Zogun I, i cili po mbahet nën mjekim intensiv për shkak të problemeve shëndetësore pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Kreu i shtetit dhe kreu i qeverisë fillimisht u informuan mbi gjendjen shëndetësore të Leka Zogut I, duke shprehur njëkohësisht vlerësimet për përkujdesjen dhe përkushtimin e treguar nga i gjithë stafi mjekësor. Ata janë përshëndetur nga afër me Leka Zogun I, të cilit i kanë uruar përzemërsisht përmirësim të shëndetit, shërim të shpejtë dhe rikthim në jetën aktive. “I urova shërim të shpejtë dhe nuk e teprova duke qëndruar më shumë, sepse gjendje të tilla patjetër që kërkojnë qetësi. Gjithsesi, komunikimi me të ishte i ngrohtë dhe do të thosha atë që është shumë e rëndësishme në të tilla situata: shumë i kthjellët”, - tha Presidenti Topi pas vizitës. Ndërsa kryeministri Berisha e siguroi për mbështetjen e qeverisë për kapërcimin e gjendjes shëndetësore. “Ajo që mund të them është se komunikova shumë mirë me të, e gjeta optimist se do ta kapërcejë këtë situatë. Uroj që të dalë sa më shpejt dhe shërim të shpejtë nga situata për të cilën erdhi në spital Madhëria e Tij. Mjekët po bëjnë gjithçka. Qeveria është e vendosur të japë çdo lloj mbështetjeje, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë shëndetësore, të përmirësohet e të vazhdojë aktivitetin e tij”, -tha kreu i qeverisë në një prononcim për mediet.

Falënderimet

Familja mbretërore përmes njoftimeve të veçuara falënderon Presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha për vizitën që i bënë Leka Zogut I në QSUT. “N.M.T. Mbreti Leka I e siguroi Presidentin Topi se vizita e tij i jep vullnet dhe forcë, si dhe i shton dëshirën për daljen e shpejtë nga spitali për të vazhduar t’i shërbejë atdheut dhe kombit”, - thuhet në njoftim.

Diagnoza

Shefi i shërbimit të neurokirurgjisë, Mentor Petrela, deklaroi dje se pacienti ka disa lloje të diagnozave, e thënë ndryshe, multisistemike, të cilat kanë rënduar gjendjen e tij, ndërkohë që gjatë ditës së djeshme situata është përmirësuar. “Ajo që dua të theksoj është se Leka Zogu nuk ka kaluar asnjëherë gjendje kome, ka qenë i kthjellët gjatë gjithë kohës”, - sqaroi Petrela.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›