E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Obama, shpresa dhe sfida



1-Të martën u betua Presidenti i ri i SHBA-së dhe shumë e kanë cilësuar si Presidentin që ka zgjuar shumë shpresa. Në gjykimin tuaj, cilat janë efektet e këtij ndryshimi të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë?

Është ende shumë herët për të thënë me njëfarë profesionalizmi se cilat do të jenë pasojat praktike të këtij ndryshimi pushteti dhe të vijave të forcës së përmbajtur te fjalimi programatik i Presidentit Obama, artikuluar në çastet e marrjes së detyrës së lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk mund të flitet që tani për këtë gjë, dy ditë pas ceremonisë së marrjes së postit. Por fakti që ai afishon horizontin e tij intelektual dhe politik me bindje, kjo do të thotë se ka vendosmërinë për t’i shkuar këtij programi aq larg e thellë sa do të mundet. A do t’i gjejë mjetet dhe mbështetjen e duhur për t’u shkuar pas idealeve të veta? – Kjo mbetet për t’u parë me kërshëri dhe analizuar në vazhdimësi. Sot, në shtypin botëror, nga analistët më të njohur të tij në kulturat latine apo edhe ato anglo-saksone ka interpretime të ndryshme rreth këtij fjalimi vërtet madhështor. Ka mbështetje dhe shpresë, mbisundojnë, por ka edhe analiza që kërkojnë të dinë më shumë sesa janë mundësitë për ta përmbushur këtë program të ndjekur në media nga e gjithë bota, sikurse tha Presidenti Obama, që nga kryeqytetet e mëdha të botës deri te fshatrat e vegjël të saj. Dy vështirësi të mëdha numërohen paraprakisht nga analistë të ndryshëm: Së pari, sa do të kenë vullnet për dialog dhe mirëkuptim fuqitë e sotme në planin gjeopolitik botëror që të bashkëpunojnë në një botë paqeje dhe mirëkuptimi, e kështu për të ndjekur sensin e strategjisë dhe vullnetit të Presidentit amerikan. Së dyti, sa do të jenë të gatshëm vendimmarrësit dhe sipërmarrësit amerikanë për të ndjekur këtë vullnet politik të shprehur nga Presidenti, në mënyrë për t’u shkuar sa më thellë reformave demokratike dhe ekonomike që ai paraqet. Kjo është e domosdoshme, në mënyrë që shpresa që ai jep të mos zhgënjehet. Sikurse e tha vetë, kjo është një sfidë e madhe, e cila ne nuk na mbetet veçse ta vërejmë dhe ta ndjekim me shpresë dhe me besim.

Por, le të kthehemi pak te fjalimi i Presidentit Obama. Në fillim të analizojmë ligjëratën e frymëzuar nga Abraham Linkolni dhe Ruzvelti, nga Bibla, e nga Shën Pali, i cili, ky i fundit, u bënte thirrje korintasve duke u thënë se megjithëse një ditë të gjithë kanë pas qenë fëmijë, kalamaj, gjithkujt i vjen mosha e pjekurisë dhe bashkë me të edhe koha për t’i lënë çilimillëqet, sikurse e them në dialektin tim të origjinës krahinore, pra, kalamallëqet.

Tani dua të them se ndodhi diçka që nuk e kisha parashikuar si duhet lidhur me jehonën e deritanishme në Shqipëri dhe në shqip të fjalimit të Presidentit Obama. Në mjaft raste shihet me theks të veçantë kryesisht ana festive, estetike, publicistike, manifestuese, protokollare, gjestikuluese, emocionale e këtij fjalimi, duke mos qenë të gatshëm dhe të ndjeshëm sa duhet për të këmbëngulur te disa ide tepër serioze dhe reformuese për botën e sotme që paraqiten aty. Fjalët lavdëruese të përgjithshme nuk mungojnë në shqipen politike: Për personalitetin e Presidentit, për mbështetjen popullore të tij, për cilësinë e fushatës, për emocionet e publikut pjesëmarrës në ngjarje në kushtet e një moti të ftohtë, por këto, sado informacione të rëndësishme, janë disi dytësore, nuk janë më thelbësoret, nuk janë ato që interesojnë në radhë të parë qytetarin shqiptar. Komentet në shqip duken të tilla sikur kërkojnë të mos informojnë sa duhet për ide, të cilat i kapërcejnë ndjeshëm konturet e mendimit politik shqiptar, tejkalojnë dukshëm disa mentalitete reminishente mbi demokracinë apo janë shumë më përpara gjendjes dhe veprimit politik kryer nga aktorë të ndryshëm të politikës. Kjo rrethanë, sipas meje, vështirëson që disa ide të fjalimit dhe programit politik të Presidentit Obama të vijnë me të gjithë peshën e tyre në terrenin e gjuhës politike shqiptare. Sigurisht ka kultura politike që mund të kenë rezerva ndaj tyre. E kuptueshme. Por, këtu e kam fjalën te përcjellja e tyre, te informimi i publikut, jo te pranimi i domosdoshëm.

Pra, në këtë kuptim, pa ndonjë qëllim të ndërgjegjësuar, bile ndofta edhe disi të pandërgjegjshëm, ka njëfarë anashkalimi, në informacion mbi idetë dhe vijat strategjike e politike të Presidentit Obama, pikërisht duke evituar disa elemente të rëndësishme e duke qëndruar ndonjëherë te spektakli, te idetë e rimarra sipas interesit të interpretuesve të ndryshëm. E them edhe një herë, nuk është ndonjë “censurë” e vërtetë. Sikurse shkruante Frojdi, është si ai mekanizëm që na bën ne të censurojmë imazhe, të cilat kapërcejnë kuadrin tonë moral. I censurojmë sepse ato çekuilibrojnë interesa dhe zakone egoiste të jetës sonë reale. Kështu i “fusim në ujë” idetë që nuk na shkojnë edhe aq për shtat, i “tresim”, “sheqerosim” ose anashkalojmë duke i zhytur në ide të përgjithshme pa qeder. Këtu media dhe gazetarët duhet me qenë shumë të kujdesshëm dhe të zgjuar. Është detyra e tyre të kapin idetë e reja që qarkullojnë në botë.

Unë nuk jam në gjendje të them me siguri se cilat ishin pikat e forta të atij fjalimi, por aq sa më lejojnë aftësitë e mia interpretuese, duke qenë fare të lira dhe të painteresuara, duke u mbështetur edhe në analizat që bën sot shtypi botëror i të gjitha kontinenteve, them se ka vend ta tërheqim vëmendjen e publikut shqiptar në disa drejtime.

Ajo që më bëri përshtypje mua, së pari, ishte se Presidenti Obama riktheksoi edhe një herë atë që shkollat politike anglo-saksone e ushqejnë dhe e brumosin prej disa shekujsh, së paku, një ide të madhe bazë, sipas së cilës, respektimi i ligjit dhe i Kushtetutës, respektimi i të drejtave të njeriut sipas kuadrit ligjor demokratik, nuk mund të negociohet në asnjë rrethanë. Është i panegociueshëm. Presidenti Obama ritheksoi që hezitimet midis moralit dhe zbatimit të ligjeve, midis dëshirës dhe zbatimit të ligjeve, midis sigurisë dhe zbatimit të ligjeve etj., janë dilema të paqena. Nuk ka, pra, vend të jenë. Nuk ka asnjë arsye madhore që mund të mbivlejë në lidhje me respektimin e të drejtave të qytetarëve të siguruara me anë të ligjit. Asnjë arsye nuk mund të justifikojë që ato të privohen, anashkalohen apo cenohen. Presidenti Obama theksoi, pra, se ne e hedhim poshtë si të gabuar dilemën për të zgjedhur midis sigurisë dhe idealeve tona. Baballarët tanë themelues përballuan me vështirësi gati të paimagjinueshme për të skicuar një kartë që siguron sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut. Qytetari është i pacenueshëm në të drejtat e tij ligjore.

E vendosur në një kontekst të caktuar, por e vlefshme universalisht, është edhe ideja sipas së cilës tjetër është forca dhe tjetër është pushteti. Ai i qëndron idesë themeltare se pushteti nuk mund të jetë i gjithëfuqishëm dhe në asnjë rast, pra cilido pushtet, politik, administrativ, familjar, ekonomik, ushtarak, nuk mund të përdoret “për të bërë atë që na pëlqen”. Aftësia e pushtetit të vërtetë nuk është fuqia për t’u imponuar me anë të forcës, por qëndron te përdorimi i pushtetit me kujdes, pa e lënë veten në duart e përdorimit subjektiv, pa ideale të pushtetit. Pushteti bëhet fuqi e pashtershme kur mbështetet në idealet e drejtësisë. Mbi pushtetin, cilido qoftë ai, në cilëndo fushë të veprimtarisë njerëzore, është e drejta. Pushteti i bashkuar me të drejtën është i pathyeshëm, pushteti pa të drejtën me vete, nuk shkon dot larg. Duke vlerësuar atë që kanë bërë brezat e kaluar në Amerikë, ai deklaron: “Ata kuptuan se vetëm fuqia jonë nuk mund të na mbrojë, as nuk na jep të drejtën për të bërë atë që na pëlqen. Përkundrazi, ata kuptuan se fuqia jonë rritet nëpërmjet përdorimit të kujdesshëm të saj; siguria jonë buron nga drejtësia e çështjes sonë, nga forca e shembullit tonë, nga cilësitë e moderuara të modestisë dhe të përmbajtjes”.

Mbi të gjitha, Presidenti Obama i mëshon idesë se duhet respektuar njeriu, njerëzit, sikurse ata i ka bërë Zoti, të lirë dhe të barabartë, të gjithë me aftësinë dhe dëshirën për ta arritur lumturinë në këtë jetë. Ai flet kështu “për atë ide fisnike, transmetuar brez pas brezi: premtimin e dhënë nga Zoti se të gjithë janë të barabartë dhe të lirë, dhe të gjithëve t’u jepet shansi për të ndjekur standardin e tyre të plotë të lumturisë”.

Nuk mund të mendohet vetëm për atë që është i pasur dhe ka një gjendje të mirë ekonomike. Nuk mund të bëhet politikë thjesht duke u nisur nga interesa egoiste të përfitimeve. Paraja publike, në cilindo qoftë nivel që administrohet, duhet trajtuar me ndershmëri, transparencë, hapje ndaj qytetarëve, të cilëve iu jemi në fund të fundit shërbëtorë. Sipas tij, “koha e mbrojtjes së interesave të ngushta dhe e marrjes së vendimeve të papëlqyeshme – kjo kohë sigurisht që ka kaluar”.

Të mendosh për të gjithë, për njeriun, kjo nuk është thjesht një detyrë që rrjedh nga ndonjë ndjenjë e vetmuar mëshire kristiane. Shumë më praktikisht ajo “është rruga më e sigurt për të arritur të mirën tonë të përbashkët”. Vëmendje ndaj njeriut që nuk ka pasuri, që ndofta nuk ka pushtet, por edhe ai ka një zemër, ka një qëllim, ka një personalitet, është themeli i sistemit politik, ka të drejta dhe i takon të marrë pjesë në vendimmarrje.

Transparencë, vendosje e qytetarit në dijeni të vendimeve, harxhim i parasë publike në shërbim të interesave të përgjithshme. Një program i tërë reformash. Për ata që, sikurse ai thotë, administrojnë dollarët publikë del nevoja që ta bëjnë këtë “duke i përdorur me zgjuarsi, të reformojnë zakonet e këqija dhe ta bëjnë detyrën e tyre në dritën e diellit, sepse vetëm atëherë ne do të kemi mundur të rivendosim besimin jetik midis një populli dhe qeverisë së tij”.

Nuk pranon dilemën nëse tregu është një forcë që bën mrekullira apo përfaqëson një forcë të së keqes. Nuk mjaftohet të pranojë si të vetëmjaftueshëm kriterin e rritjes së produktit të brendshëm të përgjithshëm sepse që kjo e dhënë të ketë kuptim, duhet të shoqërohet me treguesit e rritjes së mirëqenies. Mund të rritet mirëqenia edhe nëse treguesit e rritjes së prodhimit të brendshëm mund të mos jenë aq të lartë, sikurse tregues të lartë mund të tregojnë e krijojnë bile prirje mosrritjeje reale të mirëqenies. Këtu nuk ka një lidhje të domosdoshme, por rast pas rasti.

“Suksesi i ekonomisë sonë në çdo rast është varur jo thjesht nga përmasa e produktit tonë të brendshëm të përgjithshëm, por matet me arritjen e lulëzimit tonë ekonomik”.

Tregu ka nevojë të ekuilibrohet duke u vëzhguar nga syri vigjilent i njeriut si qenie e ndërgjegjshme. Mekanizmat e këtij ekuilibrimi midis tregut të lirë dhe mekanizmave të kontrollit të tij voluntarist duhet të jenë të shumtë, të ndryshëm nga njëri vend te tjetri, nga njëra periudhë te tjetra, por gjithmonë nuk ka vend të shtrohet dilema radikale: Të kemi vetëm institucione të një tregu krejt të lirë e të pakontrolluar apo kontroll subjektivist autoritar nga ana e publikut dhe e fuqisë publike? Çdo shtrim i tillë i problemit e pengon zgjidhjen e duhur dhe e privon njeriun dhe komunitetin nga mjetet për të ecur përpara në të gjitha fushat. Privatizimi i skajshëm, mbi të gjitha, besimi i verbër te forcat e lira të tregut të lëna jashtë çdo kontrolli, mund të prodhojë kriza të rënda me pasoja katastrofike. Kjo krizë, dëshmon Presidenti Obama, na rikujtoi se pa një sy vigjilent mbi të, tregu mund të dalë jashtë kontrollit dhe se një komb nuk mund të lulëzojë për një kohë të gjatë nëse favorizon vetëm të pasurit.

Mbi të gjitha, ai ngre lart vlerat morale, të cilat duket sikur në këtë botë të globalizuar kanë humbur dhe mund të zëvendësohen thjesht nga dëshira për t’u pasuruar, për të konkurruar të tjerët, për të kënaqur egoizmin personal, pa pyetur as për moral, as për traditë, as për solidaritet, pra për asnjë pasuri morale. Liria e përqafimit të vlerave morale që gjithkush dëshiron, nuk do të thotë aspak që shoqëria të mos edukojë me kujdes e me të gjitha mjetet e veta ato tradita që formojnë prej kohësh të kaluara njeriun dinjitoz, të aftë të ndërmarrë iniciativa të mëdha. Kundër bjerrjes së punës së familjes, të brezit të rritur, të shkollës, të mediave për të edukuar kombin me vlera pozitive të përcaktuara. Një program i tërë – sipas Presidentit Obama – për ta shëndoshur jetën morale të shoqërisë. “Të gjitha sfidat mund të jenë të reja. Edhe mjetet me të cilat ne i përballojmë ato mund të jenë të reja. Por, këto vlera mbi të cilat bazohet suksesi ynë – punë e palodhur dhe ndershmëri, kurajo dhe drejtësi, tolerancë dhe kuriozitet, besnikëri dhe patriotizëm – këto vlera janë të vjetra. Këto vlera janë të vërteta. Ato kanë qenë forca e palëkundur e progresit përgjatë historisë sonë”. Sikur nuk i përmendim më aq këto vlera, para atyre të suksesit, të pasurimit, të të bërit parà.

2-Këtë javë dy partitë kryesore politike ranë dakord që të krijohej komision parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve. A nuk është ky një paragjykim, ndërkohë që manipulimi në formën që ne njohim nëpërmjet listave është një problem i kaluar, pasi deri në fillimin e zgjedhjeve do të përfundojë pajisja e qytetarëve me karta identiteti?

Nuk e përjashtojnë, besoj, njëra-tjetrën këto procedura

.

3-Petro Koçi akuzoi dhe ironizoi në sallën e Parlamentit, kryetarin e PS-së, Edi Rama, se përpiqet të luajë Obamën e Shqipërisë. A ka me të vërtetë politika jonë probleme identiteti?

E thashë se programi politik i Presidentit Obama bazohet në parametra që janë shumë të përparuar dhe që gjuha politike shqipe kërkon shumë më tepër emancipim sesa sot për t’i shprehur dhe përvetësuar ata. Ka nevojë ende për zhvillim horizonti politik për të bërë të vetat këto ide shumë të përparuara në kulturën e majtë moderne. Flas për të majtën se e djathta a të tjerë fare mirë mund të thonë se e njohin veten në platforma të tjera ideologjike. Edhe e djathta konservatore popullore duket sot interesante në analizat e veta. Nuk e kam fjalën për idetë që shprehin thjesht në formë sloganesh politikanët perëndimorë nëpër mitingje a salla plot me zgjedhës. E kam fjalën për ato që bisedon pranë zjarrit në dimër me orë të tëra e me referenca në dorë elita politike dhe intelektuale e kohës.

Nuk ka sigurisht sinkroni automatike midis jetës politike shqiptare dhe asaj amerikane. Do të ishte një naivitet i paparë që t’i vije apriori në të njëjtën ritëm. Por, nuk kam mundësi këtu për ta zhvilluar këtë ide. Një herë tjetër kur të doni. Me gjithë qejf. Mos bëjmë superpozime pa kuptim.

Nuk e di këtë ironi për të cilën flisni e që paska bërë deputeti Petro Koçi. Nuk kam pasur rastin ta dëgjoj. Por, e vërteta është se modeli politik i ideve si ato që shpreh Presidenti Obama, ende nuk shoh të jetë aq sa duhet në Shqipëri nga politikanë që e konsiderojnë veten në të njëjtin krah politik. Nuk është fjala te e thëna sepse fjalimet politike bëhen pa ndonjë vështirësi. Puna është te reformat praktike që propozohen.

Ndërsa identiteti i klasës politike shqiptare kërkon një analizë shumë të gjatë. Në politikën shqiptare këto identitete politike ndërtohen nga bashkëveprime ndikimesh shumë të ndryshme e që vijnë nga tradita popullore disi hierarkike në vlerat e tyre, nga elemente të mentaliteteve politike të së kaluarës, nga ndikime ideologjish politike të epokës sonë, nga trashëgime leximesh librash mendimtarësh klasikë, sinteza përvojash personale në politikë, nga ndikime që vijnë nga media e jeta politike ndërkombëtare.

Si kudo.

Politikanët shqiptarë sot, të këtij brezi, në shumicën e tyre, nuk vijnë nga shkolla formimi universitar dhe autentike administrimi publik, nga shkolla jurisprudence të mirëfillta, nga shkolla marrëdhëniesh ndërkombëtare etj. Ka përjashtime shumë të rralla. Sikurse intelektualët që janë në vijë të parë të skenës së kulturës sot vijnë në pjesën dërmuese nga shkolla marksiste në këto lëmenj. Nga shkolla e dikurshme. Pavarësisht evolucionit të mëtejshëm që nuk mund të mohohet. Kjo është rruga e jetës. Graduale. Nuk ka hope katastrofike në kulturë. Ka ca tipa që hiqen si antimarksistë të tërbuar e ekstremistë, por që po t’ua gërvishtësh fare pak grimin, gjen lehtësisht logjikën e shkollës dogmatike nga e cila kanë kaluar. Pra, pa dyshim që klasa jonë politike ka identitetin e vet. Të mirë a të keq. Me të mirat dhe të këqijat e veta. Si mjekët, avokatët, akademikët, berberët, taksistët, si të gjithë. Është identiteti mikst tranzicional.

Por, imitimi dhe loja përsëri shënjojnë një ndryshim. Imitimi dhe loja kur zhvillohen gradualisht, mund të përfaqësojnë një etapë fillestare mësimi. Kurse imitimi që mbetet vetëm te shfaqjet e jashtme, te mënyra e gjestikulimit, te fasadat elektoraliste, te mënyrat e ndërtimit të podiumeve, retorika etj., nuk shkon dot më gjatë se një lojë aktoriale që nuk ka efekte politike të dobishme. Të gjithë e fillojnë mësimin me imitimin e jashtëm. Edhe gjuha ashtu mësohet. Puna është se në çfarë transformohet imitimi fillestar. Këtu fillon një tjetër histori.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›