E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përtejskandalittëdiplomave

>Duke u ndalur thjeshtë në mosrespektimin e orarit, gjithsesi, kjo do të ishte gjysma e së keqes. Ecejaket bosh dhe zvarritjet për marrjen e një përgjigjeje krejt formale, nuk kanë të sosur. Për shembull; vetëm marrja e përgjigjes në MASH për vlefshmërinë dhe njohjen e diplomës zgjat

Për arsye pune, kemi pasur rastin të sodisim këto ditë zyrat e "Pritjes së publikut" në disa nga dikasteret kryesore, mes të cilëve edhe në atë të Ministrisë së Arsimit e Shkencës. Konstatimi i parë: Mjedise të lëna jashtë vëmendjes së atyre që e kanë për detyrë t'I administrojnë, mungesë korrektësie në oraret e pritjes së popullit, pluhur gjithandej nëpër dritare e dyer Një pamje krejt e kundërt kjo, me atë të zyrave ku rrinë sekretaret, drejtorët, nëndrejtorët, zëdhënësit, specialistët, ambientet e shërbimit për kreun e dikasterit, etj, etj. Të ishte kjo që konstatuam thjeshtë dhe vetëm një fakt i rëndomtë apo një rastësi, natyrisht, as që o ta merrnim mundimin ta ngrinim si problem. Por më shumë se një fakt banal, ky moment flet për nivelin e ulët të seriozitetit me të cilin shteti trajton qytetarët e vet në këtë kohë me kaq shumë halle, nevoja e shqetësime njerëzore. Duke u ndalur një çast në të përgjithshmen, duhet thënë se jo vetëm në MASH, por dhe dikastere të tjerë sot mund të konstatosh mungesën e korrektësisë për zbatimin e orarit të takimeve me njerëzit, një ritual që si për ironi, siglohet në fasadën e mjediseve të brendshme me togfjalëshin e moderuar "Takim me publikun(!!)". Një shërbim, në dukje "i lehtë", por që "zbulon" deri diku edhe vetë performancën e dikastereve të Qeverisë aktuale. Duke u ndalur thjeshtë në mosrespektimin e orarit, gjithsesi, kjo do të ishte gjysma e së keqes. Ecejaket bosh dhe zvarritjet për marrjen e një përgjigjeje krejt formale, nuk kanë të sosur. Për shembull; vetëm marrja e përgjigjes në MASH për vlefshmërinë dhe njohjen e diplomës zgjat3 muaj(!). Ndërkaq, ka ndodhur edhe skandali i radhës për MASH: Janë prodhuar diploma jashtë çdo standardit për fakultetet e spektrit universitar në të gjithë vendin. "Diploma e nivelit të parë", lexojmë në njërën syresh, e cila është pa fotografinë e studentit që ka mbaruar studimet, si dhe pa mërtimin e fakultetit përkatës. Shkurt, një "letër-bakalli", asgjë tjetër. Kujt i shkoi ndërmend në dikasterin e MASH-it për këtë shpikje idiote?!. "Në asnjë vend të botës, nuk ka diploma të tilla", shprehej gjithë pezëm në një intervistë rektori i UT, Prof. dr. Dhori Kule. Pra, qindra e qindra studentë që kanë mbaruar studimet, janë pajisur apo do të pajisen me këto diploma-monstra, të cilat, as më pak e as më shumë paralajmërojnë një krizë të afërt të dijeve universitare në Shqipëri. Ja, pra, si po e kurorëzojmë inagurimin e plejadës së parë të intelektualëve të rinj, të cilët sapo kanë përfunduar studimet në shkollën e lartë të ristrukturuar
sipas reformave "më të avancuara e me standarde", sikurse kanë pretenduar ministrat e MASH-it gjatë këtyre viteve të fundit. Edhe kjo na duhej....(!). Kapim një çast anën tjetër: Habia më e madhe në këtë rast nuk është dhe aq prodhimi i këtyre fletëve, se sa eksperimentet që fatkeqësisht vazhdojnë të stërmundojnë sistemin arsimor shqiptar në gjithë këto vite të fundit. Në vend të vëmendjes maksimale për të zbatuar përpikmërisht kërkesat e sistemit të ri të Bolonjës, të kudo-provuar në mjaft vende të Evropës, çuditërisht iu lihet dorë e lirë falsifikatorëve të këtij lloji, të cilët si pa asgjë të keqe arrijnë të fyejnë kësisoj "trurin e ri" të këtij vendi, vlerën më të çmuar për të cilën shoqëria shqiptare po investon në vijimësisht dhe në mënyrën më të pakursyer. Kujtojmë këtu mijëra e mijëra familje shqiptare, të cilat, pikërisht për ato diploma, kanë pranuar të hanë më pak, të zbaviten më  pak, e në mjaft raste të arrijnë deri aty sa të harxhojnë edhe rezervën më të fundit financiare, apo të hyjnë në borxhe të mëdha, etëm e vetëm që fëmijët e tyre të shkollohen e të marrin një diplomë dinjitoze. Ky është aspekti më i ndjeshëm, për të cilin shqiptarët e varfër kanë sakrifikuar e vazhdojnë të sakrifikojnë pambarimisht. Janë mijëra djem e vajza, që përmes kësaj diplome mezi presin të punësohen, për t'iu ardhur kështu sa më shpejt në ndihmë familjeve, vetes së tyre. Skandali me diplomën universitare të prodhuar jashtë standardit, sado "i vogël" në dukje, nuk mund të konsiderohet ndryshe, veçse një dështim lidhur me një nga objektivat kryesore që ka sistemi arsimor shqiptar për vitin 2009. Kjo është mëse e kuptueshme për një logjikë normale. Por ka edhe një aspekt tjetër që të bën të vësh duart në kokë: Ku ishin deri tani gjithë ata pedagogë me një varg gradash shkencore në "curiculum"-et e tyre? Përse nuk e ndërprenë qysh në fillim maskaradën me diplomat e studentëve? Pse u ashka që një studente e universitetit të Gjirokastrës të merrte kurajon dhe të denonconte e para rastin në fjalë, ndërsa këtu, mu në mes të Tiranës, pikërisht në institucionin që deri tani me krenari shqiptarët e kanë quajtur "tempulli i dijes", pra, në UT, pakoja me diplomat-paçavure të mos i vrasin syrin asnjë pedagogu, dekani apo ndihmës dekani? Si dhe ku u prodhuan, e së fundmi; sa është dëmi I shkaktuar nga ky skandal në Universitetet tona? Ndërsa në kontekstin ligjor, pyetja, që do të ishte mbase pa ndonjë interes të drejtpërdrejtë për studentët, por me mjaft vlerë për të parandaluar fenomenin, shtrohet kështu: A do të ndëshkohen vallë përgjegjësit, apo do të harrohet edhe kjo histori "skolareske", si shumë të tjera?

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›