NUK ËSHTË ASPAK KEQ TË “LUASH” OBAMËN
Të martën u betua Presidenti i ri i SHBA-së dhe shumë e kanë cilësuar si Presidentin që ka zgjuar shumë shpresa. Në gjykimin tuaj, cilat janë efektet e këtij ndryshimi të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë?
Obama guxoi, Amerika fitoi... Kështu do ta përcaktoja unë me dy fjalë atë çka përmban e gjithë kjo temë e hapur. Nuk do të shtrihem deri tutje, pra tek pohimi se me zgjedhjen e Barak Obamës President të SHBA-së, në fakt fitoi e gjithë bota, ëka është një pohim me vend dhe i bazuar, pa asnjë dyshim. Po qëndroj këtu tek fitorja e vetë SHBA-së, sepse mendoj se ajo që kishte më shumë nevojë për këtë proces dhe rezultat të pazakontë ishte vetë Amerika dhe imazhi i saj në botë. Të gjithë e dimë që ky imazh i SHBA-së është ngritur mbi themele të forta të lirisë, konkurrencës e demokracisë të lidhura me vetë rrethanat historike të krijimit të atij kombi dhe të sanksionuara në kushtetutën e tij, e cila ka dëshmuar vërtet të jetë një kështjellë e atyre parimeve të larta njerëzore e shoqërore. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohet fakti që ky identifikim i Amerikës me lirinë nuk ka qenë një proces qiellor, nuk ka ardhur nga lart si një gjë e dhënë njëherë e përgjithmonë. Si çdo proces njerëzor e shoqëror, edhe ai ka kaluar historinë e vet të kolaudimit e të temperimit, ka pasur oshilacione të dukshme, ka çarë përmes dilemash e kundërshtish, ndonjë prej të cilave, si p.sh. dallimi racial, është tejkaluar relativisht vonë.
Që të jemi transparentë deri në fund, të gjithë e dimë ndërkohë që sidomos në dekadat e fundit, edhe imazhi i “vendit të mundësive të pacak” ka pasur nevojë të rifreskohet e riforcohet. Kjo, për arsye se edhe pse publikisht, për arsye që s’kuptohen nga askush (ca më pak politikanët e vendeve si i yni) nuk hedh asnjë hije mbi funksionimin e konkurrencës dhe demokracisë amerikane, të gjithë vrasin mendjen e nuk e pajtojnë dot aq lehtë këtë tipar themelor, me diçka tjetër që ndodh atje: me ekzistencën dhe fuqinë e pazakontë të poleve historike të “familjeve të mëdha” që nganjëherë zbatojnë dhe dëshmojnë një praktikë pushteti thuajse “të trashëguar” brenda “dinastisë”. E qartë që gjithçka zhvillohet brenda Kushtetutës amerikane dhe rrjedh më se normalisht, por ama njerëzit e shkolluar nëpër botë nuk e kanë të lehtë të pajtojnë brenda së njëjtës logjikë njerëzore të hapur, demokratike e konkurruese fakte si këto kur një President Kenedi zëvendësohet pa e zgjatur me një tjetër vëlla Kenedi, që njëri President Bush i viteve më parë zëvendësohet pas disa vjetësh me një President Bush - i biri etj. Të gjithë e dimë që në bisedat e lira rreth e rrotull pranohej që Amerika është vërtet një botë mundësish të hapura për gjithkënd, por... deri në njëfarë vendi. Ke mundësi për t’u punësuar, për të ndërruar zanat e për t’u kualifikuar, mundësi për t’u rritur në rrogë e në karrierë, por jo ama për t’u bërë... President i vendit! Ka njëfarë niveli, - thonë njerëzit, - deri ku ty apo mua na lejohet të qasemi; më tutje mos u kruaj; s’është punë që bëhet. Kështu thonë njerëzit e thjeshtë nëpër tryeza apo jo. Këtë ide madje na e përforcojnë edhe ata emigrantë që prej vitesh jetojnë në SHBA. Unë për vete e kam dëgjuar pikërisht nën interpretimin e tyre.
Shkurt pra, zhvillime të tilla në historinë e shoqërisë dhe pushtetit politik në Amerikë kanë pasur nevojë për shpjegime shtesë të opinionit botëror i cili duke e dashur me gjithë zemër Amerikën, duke aspiruar vlerat e saj - para së gjithash lirinë e kulluar konkurruese dhe mundësitë e barabarta për të gjithë - ka nevojë të ftillohet për realitete të tilla si racizmin e fortë të derivonë apo ekzistencën e “dinastive” me pushtet disproporcional në jetën politike të vendit.
Prandaj them që “procesi Obama” (jo thjesht zgjedhja e tij President, por gjithë rrjedha e procesit), ishte një fitore e pashoqe e vetë Amerikës. Ajo i kapërceu me një të goditur të gjitha dilemat e luhatjet dhe rivendosi drejt në këmbë, në mënyrën më të ndritur imazhin e SHBA-së si vendi i lirisë dhe i mundësive. Natyrisht, për ata që guxojnë dhe konkurrojnë. Për më tepër kjo rivendosje shumëdimensionale u bë në mënyrën më të shpejtë e më domethënëse: vetëm me zgjedhjen e dikujt në postin e Presidentit. Dhe këtë nuk e bëri njëri apo tjetri “mik i madh”, nuk e bëri njëri apo tjetri “lob i madh” apo “dinasti e madhe”. Këtë e bëri Amerika. E bëri qytetari amerikan pavarësisht ngjyrës, racës, shkallës sociale, aksesit. Ndërsa ajo që mori sërish notën dhjetë me yll, mbetet po ajo që ka qenë gjithnjë bekimi i atij shteti: Kushtetuta e SHBA-së. E cila nuk “cedoi” para asnjë lobi a grupi influence, asnjë paragjykimi a mosbesimi, të cilat natyrisht që nuk munguan. As nga brenda po as nga jashtë Amerikës. Pse pak u ndie ky mosbesim edhe në Shqipëri? Të gjitha u lanë mbas. Pse? Sepse influencuesi më i madh në atë Kushtetutë mbetet pa asnjë dyshim vetëm njëri: qytetari i SHBA.
***
Teksa pyesni për ndikimin që do të ketë mandati presidencial i zotit Obama në vend e në botë, unë them që ky ndikim tashmë ka filluar dhe po funksionon. Zoti Obama prodhoi efekt (madje jo vetëm çlirues psikologjik), qysh me konkurrimin e tij brenda Partisë Demokratike, me nominimin e tij, me forumet e dialogut me kandidatin oponent, me gjithë fushatën elektorale. Duke kulmuar me 20 janarin, marrjen në dorëzim të detyrës së Presidentit të 44-t të SHBA-së. Efekti është vetë Obama. Me staturën e vet, me portretin e vet, me historinë e vet, me pozitën e vet sociale, botëkuptimin e vet, mesazhet e veta publike, shkollimin dhe kualifikimin e vet, karrierën, aktivizimin social e kulturor, përvojën e jashtëzakonshme, deri edhe me gabimet e veta të së kaluarës së hershme të pranuara nga ai vetë në mënyrën më njerëzore, zoti Obama flet vetë dhe ndikon mbi botën dhe njerëzit orë e çast. duke i bërë kështu qysh sot një shërbim të paçmuar vendit të vet e kombit të madh amerikan.
Është nevoja të futemi në detaje? Futemi po të doni. Po të gjitha detajet s’do të bënin tjetër veçse do të ilustronin edhe më mirë gjithçka thamë më lart.
Këtë javë dy partitë kryesore politike ranë dakord që të krijohej një komision parlamentar për monitorimin e zgjedhjeve. A nuk është ky një paragjykim, ndërkohë që manipulimi në formën që ne e njohim nëpërmjet listave është një problem i kaluar, pasi deri në fillimin e zgjedhjeve do të përfundojë pajisja e qytetarëve me karta identiteti?
Kjo pyetje na sjell përsëri në tokë. Jo vetëm në kuptimin që na kthen nga Amerika direkt e në trojet tona, ku si kudo në botë edhe këtu tentohet të bëhet politikë, qeverisje e më the të thashë, po edhe në kuptimin që na zbret nga horizonti i vlerave, aspiratave e proceseve që shkëlqejnë - direkt e në dyshemenë e politikës sonë aq të çuditshme e aq banale. Pikërisht këtë të fundit dëshmon edhe tema në fjalë. Banalitet dhe mungesë kolone vertebrore të shtetit e politikës. Më mirë të themi një zëvendësim të shtetit nga komisionada. Kështu kemi bërë 20 vjet rresht. Në vend të institucioneve krijojmë komisione. Grupe pune dhe “task-forca”. Duhet bërë kjo punë, - na thotë bota. E bëjmë posi, patjetër, - përgjigjen shefat tanë pa e lënë tjetrin të mbarojë fjalën. Po si e bëkeni, - ngre supet homologu, - ju s’keni as ligjin e as institucionin për këtë. Bëhet që ç’ke mi ne ia kthejmë ne ezber. As ke ç’i do institucionet e bazimin ligjor të tyre. Do ngremë komisione dhe “task-forca”. Këto nuk të hapin asnjë punë. I thërret kur të duash në telefon ose nuk i thërret fare. I harron. Nuk kanë as statut, as buxhet, madje as... zyra. Askush nuk e kontrollon dot rezultatin e punës së tyre. As punën vetë që bëjnë gjatë javës. Ama kur vjen puna e raportimeve dhe seancave dëgjimore në Evropë, në NATO apo kudo qoftë jemi më se në rregull. Për çdo çështje mund të përmendim një komision ose një task-forcë. Qoftë edhe një task-forcë të vogël fare, sa për të thënë.
Ja, kjo është në vështrimin tim historia e komisioneve. Këto dhe task-forcat për mua janë sinonim i antishtetit, janë një modus për t’i ikur detyrimit për të bërë shtet. Me ligj, mandat, zyra e kompetenca. Me pavarësinë dhe procedurën e raportimit. Me plane pune, kalendar e llogaridhënie. Komisionet.
***
Sepse komisionet dhe task-forcat bota nuk i ka shpikur për të mbuluar punët e pabëra. Këto zgjidhje e aksione emergjence nuk janë për t’iu rrëshqitur detyrave normale, që secili i ka shkruar një herë dhe raportuar në programin elektoral dhe qeverisës. Përse ky komision e si na shkoi ndërmend një punë e tillë? Nuk jam dakord me pohimin se ky është një paragjykim. Nuk është hiç paragjykim. Madje duhet thënë se elita jonë nuk është se vuan shumë nga paragjykimet. Ky, i dashur koleg, është një instrument i përdorur me vetëdije. Në rastin konkret kemi të dy vetëdijet bashkë: si të atyre që s’kanë bërë detyrën dhe s’na kanë përgatitur për zgjedhje të besueshme e siguri minimale të procesit të ardhshëm zgjedhor, ashtu edhe të atyre që s’kanë bërë detyrën opozitare e s’kanë kërkuar llogari me kohë e hap pas hapi për këtë punë të pabërë. Më shumë kemi folur unë e ti sesa opozita, aq sa të gjithë na kanë parë shtrembër në këto vite. Kur ne përsërisnim se as kartat e identitetit s’kanë për t’u bërë, pa le të tjerat. E patëm thënë këtë që pas ‘97-ës kur dikush filloi të shpërndante disa letra të njollosura trashë. Karta identiteti guxuan t’i quajnë edhe ato. Ndonëse humbën përpara se të dilnin. Ngelëm duke e përsëritur këtë edhe në 2006-ën, 2007-ën dhe 2008-ën. Ja po e themi edhe një herë në 2009-ën po të doni: kjo qeveri nuk do t’i pajisë të gjithë njerëzit me dokument të rregullt për votimet e qershorit! Deri tani, sepse nuk donte, tani e tutje sepse nuk do të mundet. E solli vetë punën deri te ky cak: që “të mos mundet”. Kjo qeveri nuk do të bëjë as pastrimin ekzakt të dhjetëra mijëra dublikimeve të emrave nëpër gjendjet civile. Le të thotë zëvendëskryeministri se bëhen për dy ditë. Argumenti është i thjeshtë: përse zotëri nuk i bëre për katër vjet me radhë? Përse të duheshin kaq vjet regjistrat me dublime? A nuk i rëndoheshin ato edhe vetë dollapit të zyrës civile?
Duke e cilësuar paragjykim, ju e quani atë një “problem të kaluar”, kjo, sepse sipas jush, pajisja me karta... do të përfundojë(!). Vetë pyetja nuk e fsheh dot një kontradiktë: dhe “problem i kaluar”, edhe se “do të përfundojë”. Po ai prandaj nuk është problem i kaluar, se pajisja me karta nuk është përfunduar. Dhe të njëjtat arsye se përse ai nuk ka përfunduar sot, 120 ditë përpara zgjedhjeve, na shtyjnë të përsërisim se ai nuk do të kompletohet dot deri atë ditë. Dhe se një pjesë litari nga ai kontestimi zgjedhor sërish do të mbetet jashtë.
Petro Koçi akuzoi dhe ironizoi në sallën e Parlamentit kryetarin e PS-së, Edi Rama, se përpiqet të luajë Obamën e Shqipërisë. A ka me të vërtetë politika jonë probleme të identitetit?
Nëse për atë çështjen përpara thamë se na uli në tokë, për këtë tjetrën na duhet të futemi nën tokë fare. Petro Koçi ironizoi Edi Ramën! Po punë e madhe. Edhe Edi Rama ironizon herë pas here, kë të mundë. A është ky një muhabet me të cilin duhet të merremi? Sa herë njerëzit ironizojnë njër-tjetrin. Pse ne, pak ironizuam deri tani? Natyrisht ka një gjë interesante këtu dhe kjo është substanca e “akuzës” ose “ironisë”. Edi Rama “akuzohet” se përpiqet të “luajë Obamën” thoni ju, pra të t’i ngjajë sa më shumë Presidentit aktual të SHBA-së. Po s’thua shyqyr? Që përpiqet bën shumë mirë. Ishalla në përpjekje e sipër ia arrin t’i ngjajë vërtet, sadopak. Natyrisht, ca gjëra s’mund të bëhen kurrë, si historia e tij unikale, shkollimi i vështirë, karriera profesionale etj. Po le të bëjë sa të mundë. Vetëm të mira do të kishim nga një ngjashmëri e tillë.
Sa për identitetin e politikës e politikanëve tanë, lëre mos e pyet. Këtu ne kemi edhe një trashëgimi të pasur historike mbarëpopullore. Në shekuj kemi imituar, fillimisht efendilerët turq, pastaj zabitët vendas, pastaj misionarët jugosllavë, më pas kozakët e Donit, kinezët e Taxhait e kështu me radhë.
Nuk është se vetëm krerët tanë përpiqen t’i ngjajnë dikujt nga bota e madhe. Puna është se kjo modë për t’i ngjarë një të madhi është futur thellë në mishin e gjakun e shumë vartësve. Nuk e vini re se si vartësit kryesorë të zotit Rama imitojnë padashur gjithë pozat e gjestet e tij, ndërsa vartësit kryesorë të zotit Berisha (përfshi edhe vartëse femra) bëjnë çmos të kopjojnë mimikën e gjestet e tij deri më një. Sprovë e vështirë mbetet sidomos ajo lëvizja e prerë me dorën e djathtë, si punë shpate, horizontalisht. Një gjest që flet për vendimmarrje dhe “shefllëk” të lindur. Atë synojnë të gjithë. Ndoshta kujtojnë se është parakusht për të hyrë në listat zgjedhore.