E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi firmos qeverinë “Berisha 2”



Pasi uroi nxënësit shqiptarë për fillimin e vitit të ri shkollor, Presidenti Bamir Topi firmosi paraditen e djeshme qeverinë “Berisha 2”. Z. Topit iu deshën vetëm 4 ditë kohë për shqyrtimin e emrave, nga 7 ditë që i jep Kushtetuta për vlerësimin dhe emërimin e përbërjes së Këshillit të Ministrave, sikundër e propozoi Kryeministri Sali Berisha. Në këtë mënyrë, dekretimi i hap rrugë procesit të votimit të qeverisë në Kuvend.

Në seancën më të afërt, e cila sipas të gjitha parashikimeve do të mblidhet ditën e mërkurë, Kryeministri Sali Berisha do të paraqesë dhe programin ku do të bazohet qeverisja katërvjeçare e koalicionit për integrim. Pas votimit në Parlament, kabineti i ri qeveritar do të betohet para Presidentit të Republikës. Betimi i qeverisë “Berisha 2” nuk dihet ende nëse do të betohet paraditen e së enjtes, për faktin se në orën 14:30 të kësaj dite, Presidenti Topi do të udhëtojë drejt Malit të Zi prej një ftese që i ka bërë homologu i tij malazez. Nga shteti fqinj, kryetari i shtetit mësohet të kthehet mbrëmjen e së premtes, gjasa sipas të cilave betimi i Kryeministrit dhe 15 ministrave të rinj, të bëhet ditën e shtunë. Me shpalljen e dekreteve, Presidenti Bamir Topi u dha fund edhe zërave se ai mund të refuzonte ndonjë nga propozimet e Kryeministrit. Përpara shpalljes se dekreteve, kreu i shtetit u përpoq të shpjegonte gjatë një prononcimi për mediat se nuk është në kompetencën e Presidentit mosdekretimi i ministrave. “Preokupimi im kryesor është që të mos devijoj për asnjë çast nga zbatimi i neneve të Kushtetutës, i gjithë kuadrit ligjor që rregullon aktivitetin e Presidentit në raport edhe me çështjen në fjalë, çka do të thotë që në të gjithë procesin tim të dekretimit unë i referohem në mënyrë shumë rigoroze detyrimit kushtetues. Nëse do të veproj ndryshe, do të jeni ju të parët që do të ngrini pyetjen përse unë lëviz nga Kushtetuta. Por, jam shumë i kujdesshëm. Morali politik është diku tjetër, aty ku bëhet politika. Presidenti ecën me ligjin dhe me kuadrin kushtetues. Kjo është e gjitha”, - u shpreh z. Topi. Duke qenë se në linjën e emërimit të ministrave Presidenti nuk është filtër kushtetues për propozimet e Kryeministrit apo për sensibilitetet publike që mund të sjellin këto propozime, z. Topi e theksoi përgjegjësinë e Kryeministrit Berisha për përzgjedhjet e tij.

“Për sa i përket çështjes së këndvështrimit politik edhe moral, natyrisht që ky është një ekskluzivitet i propozuesit, që në rastin konkret është Kryeministri”, - theksoi z. Bamir Topi. Dekretimi i anëtarëve të qeverisë së re nga ana e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, i hap rrugën miratimit në Kuvend të programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.

Votimi i qeverisë dhe programit në Kuvend

Rregullorja parlamentare dhe konkretisht neni 110 i saj përcakton procedurat që ndiqen nga Kuvendi për miratimin e programit dhe kabinetit të ri qeverisës.

Data e seancës plenare për miratimin e programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave përcaktohet nga kryetari i Kuvendit në marrëveshje me Kryeministrin.

Programi politik i Këshillit të Ministrave dhe përbërja e tij paraqiten në Kuvend nga Kryeministri. Pas paraqitjes së programit, çdo deputet dhe grup parlamentar ka të drejtë të paraqesë pyetje për Kryeministrin.

Pas përgjigjeve të pyetjeve, kryetari i Kuvendit deklaron hapjen e debatit për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave.

Koha e debatit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë Kryeministri jo më shumë se 10 minuta.

Votimi nga Kuvendi i përbërjes dhe i programit politik të Këshillit të Ministrave bëhet sipas nenit 58 të kësaj rregulloreje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›