Raporti, Berisha: Më i miri në vite, objektiv për Shqipërinë
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi mbrëmë raportin final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, si objektiv, më të mirin ndër vite dhe i ngjashëm me ato të vendeve evropiane. Për këtë arsye, z. Berisha ftoi kryesocialistin Edi Rama që ta pranojë raportin dhe të kthehet në Parlament. Me thirrjen që të heqë dorë nga alibitë e tij për humbjen e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe akuzat boshe, z. Berisha iu referua raportit, duke thënë se nuk ka pasur asnjë provë për shkelje apo për manipulim në numërimin e votave. Në këtë mënyrë hidhet poshtë pretendimi i opozitës nga e cila Berisha sërish kërkoi që të zërë vendet e saj në Parlament. Gjatë një konference për shtyp, përmes së cilës përshëndeti vlerësimet finale të vëzhguesve të zgjedhjeve të 28 qershorit, Berisha i vlerësoi ato si më të mirat të bëra në historinë e pluralizmit shqiptar.
Duke lexuar ato çka thotë raporti, Berisha i konsideroi si të merituara vlerësimet e ndërkombëtarëve për zgjedhjet. Ai pohoi se Shqipëria nuk shfrytëzoi potencialet për arritjen e standardeve të larta, duke shtuar se “standardet duan kohën e tyre për të arritur lartësinë e duhur”.
“Ky është raporti më i mirë që është lëshuar për zgjedhjet në Shqipëri, është i ngjashëm me raportet e vendeve të tjera. Evidentohen një seri të metash e problemesh, thuhet se nuk u shfrytëzuan potencialet e Shqipërisë për të arritur standarde të larta, por standardet duan kohë për të arritur lartësinë maksimale. Në programin e qeverisë do të konsiderohen një më një, për të marrë përgjigjen më të mirë, çdo sugjerim apo problematikë e evidentuar nga OSBE/ODIHR-i”, - u shpreh Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë vijoi duke thënë: “Përparimet e bëra me infrastrukturën moderne, me listat e zgjedhësve dhe kartat biometrike, si dhe transparenca ligjore e KQZ-së evidentojnë suksesin e arritur”. Duke bërë një krahasim me raportet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e mëparshme, Kryeministri nxori në pah defektet në proceset e kaluara, si dhe suksesin e arritur këtë vit, duke i hequr vendit nofkën e “deles së zezë” për zhvillim negativ të zgjedhjeve.
“Raporti i vitit 2001 thotë: “Procesi zgjedhor ishte i tejzgjatur, i pasigurt dhe i fragmentuar”. Në raportin e 2005-s thuhet se “standardet u arritën pjesërisht”. Ndërsa këtë herë, standardet u plotësuan. Shqipëria nuk është më delja e zezë e Ballkanit për zgjedhje jo të mira”, - deklaroi z. Berisha. “Nga ana tjetër, ftoj kryetarin e PS-së, Edi Rama, të lexojë këtë raport, të heqë dorë nga skenarë virtualë, nga dhunime inekzistente dhe nga shpikjet. Shpresoj që ky raport ta bindë z. Rama se vendi i deputetëve të tij është në Parlament”, - theksoi z. Berisha. Kryeministri Sali Berisha pranoi disa nga kritikat e bëra në raportin e OSBE-ODIHR-it, duke theksuar se ato do të jenë përparësi e qeverisë së tij. “Natyrisht që në të evidentohen disa dobësi. Shprehet qartë se nuk u shfrytëzuan të gjitha mundësitë për standarde më të larta. Standardet më të larta janë për t’u arritur si objektiv, por duhet kohë për të arritur lartësinë maksimale. Raporti evidentonte edhe një seri të metash dhe problemesh, që do të trajtohen në programin e qeverisë sime”, - nënvizoi Kryeministri Sali Berisha.
Zgjedhjet, zëdhënësi i OSBE/ODHIR: U përmbushën kërkesat tona
Sipas OSBE-së: “Zgjedhjet në Shqipëri plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së, kështu që vlerësimi i përgjithshëm është pozitiv”. Këtë pohim bëri dje për radion BBC zëdhënësi i OSBE/ODIHR-it, Jens-Hagen Eschenbacher. Ai flet për konkluzionet përfundimtare të OSBE/ODIHR-it, duke u ndalur në aspektet kryesore të progresit që shënoi Shqipëria përmes zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas Eschenbacher, ka përmirësime në një numër fushash, për shembull për sa i përket sistemit të ri të regjistrimit të votuese, për sa i përket futjes së kartave të identitetit që përmirëson identifikimin e zgjedhësve. Ai përmend se kuadri ligjor është përmirësuar në mënyrë konsensuale nga të dyja partitë kryesore dhe gjithashtu numërimi i votave ka ndodhur në një mënyrë më të përmirësuar krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Raporti thotë se ndërsa plotëson shumicën e angazhimeve të OSBE-së, zgjedhjet nuk realizuan në mënyrë të plotë potencialin e Shqipërisë për të zbatuar standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Pse ndodhi kjo?
Së pari, konkluzioni ynë ishte se zgjedhjet plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së, kështu që vlerësimi i përgjithshëm është pozitiv. Ne arritëm në përfundimin se ka përmirësime në një numër fushash, për shembull për sa i përket sistemit të ri të regjistrimit të votuese, për sa i përket futjes së kartave të identitetit që përmirëson identifikimin e zgjedhësve. Kuadri ligjor është përmirësuar në mënyrë konsensuale nga të dy partitë kryesore dhe gjithashtu numërimi i votave ka ndodhur në një mënyrë më të përmirësuar krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe nga një vend i tillë priten standardet më të larta. Pse nuk janë arritur këto gjatë këtyre zgjedhjeve?
Po, përveç pikave pozitive, ne gjithashtu vumë re se këto zgjedhje nuk realizuan në mënyrë të plotë potencialin e Shqipërisë për të zbatuar standardet më të larta për zgjedhje demokratike. Kjo, në një masë të madhe, ndodhi për shkak të mungesës së angazhimit nga të gjitha partitë politike për të respektuar përmbajtjen dhe synimin e ligjit për të shpërndarë detyrat zgjedhore në mënyrë të përgjegjshme për të ruajtur integritetin e procesit.
Cili është roli i qeverisë në këto probleme?
Nëse pyesni për rolin e qeverisë, ne në këtë fazë sigurisht kemi publikuar raportin tonë përfundimtar. Ne ua kemi dërguar atë autoriteteve nëpërmjet kanaleve të OSBE-së. Raporti përfshin rekomandime për përmirësime për zgjedhjet e ardhshme që mund të konsiderohen nga qeveria me qëllim që të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme.
Cilat janë disa nga rekomandimet që ju i jepni qeverisë shqiptare?
Rekomandimet nuk i drejtohen vetëm qeverisë. Ato u drejtohen të gjitha forcave pjesëmarrëse në procesin zgjedhor. Një nga rekomandimet kyçe që ne bëjmë në raport, është që të gjitha palët e interesuara në proces, veçanërisht partitë politike, të marrin seriozisht angazhimet e tyre ose përgjegjësitë që kanë, të zbatojnë përgjegjësitë që kanë në një proces zgjedhor. Ne kemi vënë re se aspekti teknik i procesit elektoral u politizua shumë dhe partitë votuan, p.sh., në komisionet zgjedhore përgjatë linjave partiake, gjë që pati efekt negativ në procesin zgjedhor.
Shumë do të varet nga ky raport i OSBE-së. Opozita shqiptare po bojkoton Parlamentin dhe ata kanë hedhur akuza për mashtrim gjatë zgjedhjeve. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të opozitës?
Roli ynë nuk është për të ndërhyrë në proceset e brendshme politike. Roli ynë është të vëzhgojmë zgjedhjet dhe të raportojmë për gjetjet tona. Dhe kjo është çka kemi bërë ne. Gjetjet tona janë përfshirë në këtë raport dhe u takon tani palëve të interesuara në këtë proces zgjedhor dhe në zgjedhjet në përgjithësi në Shqipëri që të nxjerrin konkluzionet e tyre nga raporti.