E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti final i OSBE/ODIHR-it: Asnjë provë për manipulim rezultati



Misioni i OSBE/ODIHR-it publikoi dje raportin përfundimtar për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Raporti evidenton se Shqipëria ka “shënuar një progres të prekshëm në lidhje me regjistrimin dhe identifikimin e votuesve, në reformën ligjore të adoptuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë e mëdha, në procesin e votimit, të numërimit si dhe gjykimin e ankesave mbi procesin”. Misioni i OSBE/ODIHR-it thotë njëkohësisht se nuk ka asnjë provë për parregullsi në numërimin e votave apo në manipulimin e rezultatit. “Nuk ka asnjë provë për numërim të parregullt apo manipulim të rezultatin dhe asnjë parregullsi serioze në Qendrat e Numërimit të Votave, përveç bllokimit të numërimit në disa qendra numërimi”, - thuhet shprehimisht në raportin final. Ky raport u publikua pas një pune disamujore që nisi dy muaj para ditës së zgjedhjeve e deri në shpalljen e rezultatit final të procesit zgjedhor, më 1 gusht nga ana e KQZ-së. Në 36 faqe të raportit, vlerësohet i gjithë procesi teknik dhe arritja e standardeve. Në tërësi raporti evidenton si problematikë politizimin e fushatës si dhe bllokimin e përkohshëm të numërimit të votave në një të tretën e Qendrave të Numërimit të Votave.

Raporti

“Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit shënuan një progres të prekshëm në lidhje me regjistrimin dhe identifikimin e votuesve, në reformën ligjore të adoptuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë e mëdha, në procesin e votimit, të numërimit si dhe gjykimin e ankesave mbi procesin”, - thuhet në hapje të raportit. Më tej atje shkruhet se “këto arritje thelbësore u eklipsuan nga politizimi i aspekteve teknike, si gjatë numërimit të votave, e duke sjellë për pasojë një bllokim të përkohshëm në disa zona të numërimit të votave si dhe shfaqjes së dhunës gjatë fushatës. Zgjedhjet u zhvilluan në bazë të një kodi të ri elektoral të adoptuar në fund të 2008-s. Kodi i ri përmbushi disa rekomandime të bëra më parë nga OSBE-ODIHR-i dhe solli përmirësime domethënëse”, - thuhet në raport. “Për shembull, - sipas raportit, - sistemi i përfaqësimit proporcional rajonal zëvendësoi sistemin e mëparshëm të debatueshëm zgjedhor, ndërsa si burim për listën e votuesve u përdor këtë herë një regjistër i kompjuterizuar i popullsisë”. “Në përgjithësi, korniza ligjore siguron një themel të plotë teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike. Megjithatë, një sërë dispozitash duhen rishikuar në mënyrë që korniza ligjore të jetë në linjë të plotë me kërkesat e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare”, - thuhet më tej, duke shtuar se “pavarësisht shtrëngesës kohore, Komisioni Qendror Zgjedhor përgatiti dhe administroi zgjedhjet me profesionalizëm e ndërmori mjaft hapa në drejtim të përmirësimit të transparencës së procesit. Mbledhjet e tij ishin përgjithësisht transparente e të drejtuara me profesionalizëm, megjithatë KQZ shpeshherë u përça në linja të mëdha politike, sidomos ato për çështjet më të diskutueshme”. Raporti vijon më tej në analizimin e të gjithë procesit duke filluar nga kuadri ligjor, fushata elektorale e deri në menaxhimin e procesit. Zyra e OSBE-së ka vlerësuar përputhshmërinë e procesit zgjedhor me angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Vlerësimi

Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në vend, një raport i OSBE/ODIHR-it konsideron se zgjedhjet në Shqipëri “përmbushën shumicën e standardeve të OSBE-së” dhe konsideron se Shqipëria i ka potencialet për t’i përmbushur ato plotësisht në kushtet e vullnetit të të gjitha partive politike. Raporti thekson gjithashtu faktin se rezultati i 12 zonave zgjedhore si dhe ai përfundimtar u miratuan nga KQZ-ja me unanimitet.

Detajet nga raporti

Identifikimi dhe regjistrimi i votuesve

Raporti thotë se që në vitin 2008 qeveria nisi reformën administrative për krijimin e regjistrit elektronik të shtetasve. Njëkohësisht u nis përgatitja dhe prodhimi i kartave të identitetit me një nivel të lartë sigurie. Raporti nuk flet për mungesë të kartave të identitetit apo pasaportave ditën e votimit, duke nënkuptuar se çështja e prodhimit të kartave për të gjithë votuesit e interesuar ishte realizuar. “Duke marrë parasysh afatet e ngushta kohore, fushata e shpërndarjes së letërnjoftimeve ishte përgjithësisht e suksesshme dhe shtroi bazat për një sistem solid të identifikimit te zgjedhësve”, - thuhet në raport.

Regjistrimi i kandidatëve, PS theu afatin

Në lidhje me regjistrimin e kandidatëve për deputetë, raporti komunikim detajet që kërkon Kodi Zgjedhor. Në raport thuhet se pothuaj të gjitha partitë rimorën listën për të bërë korrigjime, më së shumti për probleme dokumentacioni. “Partia Socialiste ishte e vetmja parti e cila dorëzoi listën e kandidatëve pas kufirit kohor në mesnatën e datës 19 maj. Ajo tha se nuk ishte asnjëri në KQZ që të merrte listën, një deklaratë që KQZ e refuzoi. KQZ votoi unanimisht për të pranuar listën e kandidatëve të PS-së”, - thuhet në raport.

Fushata elektorale, e polarizuar

Raporti thotë se fushata elektorale, e hapur zyrtarisht më 28 maj, u shoqërua nga një polarizim politik. Sipas raportit, palët akuzonin njëra-tjetrën për përdorimin e administratës publike. Njëkohësisht opozita lëshoi akuza për lëshime kartash identiteti false, por që nuk u evidentuan.

Media, vlerësohet gazeta “Panorama”

Raporti i OSBE/ODIHR-it analizon edhe rolin e medias, duke bërë vetë një monitorim. Flitet në tërësi për tregun mediatik si dhe informalitetin e punës së gazetarëve. “Shqipëria ka një numër të lartë të mediave të shkruara dhe vizive, në përgjithësi të varura nga bizneset që subvencionojnë ato. Kjo, e kombinuar me ndërhyrje në politikën editoriale nga politikanët dhe vetë interesat e biznesit”, - thuhet në raport. Është analizuar edhe përmbajtja në media, ku në veçanti është vlerësuar gazeta “Panorama”. Sipas raportit, kjo gazetë ishte më e balancuara, duke mbuluar PD-në në 46%, PS-në në 48% dhe me një ton neutral ndaj tyre.

Vëzhguesit, kritikohet Veliaj, Hysi, Bushati

Raporti flet për një numër mbi 6 mijë vëzhguesish që monitoruan procesin. Raporti evidenton se disa aktorë të shoqërisë civile kërkuan të montojnë procesin, në një kohë që ishin kandidatë për deputetë. Sipas raportit, aksioni i tyre linte për dyshim nga ana e kolegëve të organizatave të tjera homologe në një kohë kur kreu i “Mjaft”-it, Erion Veliaj, kandidonte me G99, Vasilika Hysi e Komitetit të Helsinkit kandidonte me PS-në dhe Ditmir Bushati i EMA-s kandidonte po prapë me PS-në.

Ankesat, Kolegji, profesional

Një tjetër detaj që raporti merr në konsideratë, ishin edhe ankesat e partive për procesin. Vlerësohet fakti i numrit të vogël të ankesave, rreth 36, që është një numër rekord dhe i papërfillshëm me zgjedhjet e mëparshme. Në lidhje me ankesat në Kolegjin Zgjedhor, raporti shkruan se kryesisht u lanë në fuqi vendimet e KQZ-së si dhe puna e Kolegjit ishte profesionale dhe e balancuar. “Në tërësi, Kolegji Zgjedhor shqyrtoi ankesat me paanësi dhe profesionalizëm duke prodhuar efektshmëri dhe korrigjim të shpejtë në procesin postelektoral”, - thotë raporti.

Dita e votimit

Dita e votimit vlerësohet nga raporti si e qetë, ku qytetarët shqiptarë votuan të lirë. Thuhet se në rastin më të keq nuk është pritur më shumë se 30 minuta për të votuar. Kryesisht, tensione jo serioze janë vërejtur në rreth 3 për qind të qendrave të votimit nga militantët partiakë. Raporti thotë se ditën e zgjedhjeve KQZ-ja raportoi se po përdoreshin minikamera dhe llamba fluoreshente në qendrat e votimit nga anëtarët e PS-së në mënyrë antiligjore.

Numërimi i votave

Për sa i përket procesit të numërimit të votave, raporti evidenton se procesi i numërimit të votave nisi normalisht. Ai vlerëson teknologjinë e lartë të përdorur në monitorimin me kamera dhe monitorë. Raporti vëren vonesat në numërim në disa zona, si në Fier, Bushat apo Lezhë. Në tërësi raporti vlerëson këtë proces me përjashtim të vonesave dhe politizimit të këtij procesi në këto zona. Raporti thotë se nuk ka asnjë provë për numërim të gabuar apo manipulim rezultati.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›