Presidenti Topi hap konkursin për Kushtetuesen dhe Gjykatën e Lartë
Kreu i shtetit
Fillon zyrtarisht procedura e zëvendësimit të anëtarëve, mandatet e të cilëve mbarojnë në muajt e ardhshëm
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka filluar procedurën ligjore për të përzgjedhur kandidatët për t’u zgjedhur në vendet vakante në dy nga institucionet kryesore të shtetit: Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në njoftim për media të zyrës së shtypit të kreut të shtetit theksohet se “Kabineti i Presidentit të Republikës njofton se Kryetari i Shtetit ka nisur procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj për gjashtë vende vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe dy vende vakant në Gjykatën e Lartë. Në bazë të përcaktimeve kushtetuese dhe ligjore, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo me pak se 15 vjet në profesion, ndërsa gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga radhët e gjyqtarëve me vjetërsi pune jo më pak se 10 vjet ose nga radhët e juristëve të shquar, që e kanë ushtruar këtë profesion për jo më pak se 15 vjet”. Kabineti i Presidentit ka publikuar edhe dokumentet që aplikantët duhet të paraqesin në institucionin kryesor të shtetit për vendet vakante në dy prej organeve të larta të Republikës. Sipas njoftimit “Të gjithë individët që dëshirojnë të kandidojnë për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, janë të ftuar të paraqesin pranë Kabinetit të Presidentit të Republikës kërkesën e tyre, bashkëngjitur me diplomat, listën e notave, titujt shkencorë, kualifikimet dhe të tjera. Afati i fundit për dorëzimin e kërkesës me dokumentacionin shoqërues të kërkuar, është data 15 shkurt 2010. Kabineti i Presidentit, thekson se “Ky proces mjaft i rëndësishëm e që rrjedh si detyrim kushtetues i Kryetarit të Shtetit, do të jetë transparent dhe në respekt të ligjeve në fuqi dhe standardeve demokratike”. Sipas Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Procedura e dhënies së pëlqimit bëhet me votën e shumicës së deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit. Procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë është shumë i rëndësishëm për politikën shqiptare dhe aktualisht për mazhorancën. Kjo ngaqë institucioni që ka si detyrë të interpretojë ligjin themeltar të shtetit ka rrëzuar që nga viti 2005 shumë nga ligjet e rëndësishme të miratuara nga deputetët e PD-së dhe aleatët e saj. Procesi i zëvendësimit pritet të kthehet në betejën e radhës politike mes mazhorancës dhe opozitës. Edhe pse Partia Demokratike i ka votat për të dhënë pëlqimin mbi anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, duket se ky nuk do të jetë proces i thjeshtë. Kjo pasi komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që institucionet kushtetuese të mos plotësohen me militantët e radhës, por nga ekspertë të paanshëm, të cilët do të përzgjidhen pas një procesi konsensual mes mazhorancës dhe opozitës.
#