Rekord për aksidentet në vitin 2009, me 334 persona të vdekur
Kritikat e Kryeministrit: Policia i përdor aksidentet si top futbolli
Policia shqiptare ka vërtetuar përfundimisht se viti 2009 ka qenë i zi për sigurinë rrugore. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, i viktimave prej tyre, ka ndodhur pikërisht vitin që shkoi, duke sjellë jo pak, por 334 të vdekur. Kjo nuk ka kaluar lehtë, pasi edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër drejtuesit e policisë, duke u vënë në dukje se kjo është një situatë e papranueshme. Madje, Berisha ka deklaruar se nuk duhet të ndodhë më, që aksidentet rrugore të përdoren si top futbolli, duke e kaluar sa te një komisariat, te tjetri.
Shifrat zyrtare dhe përfundimtare të aksidenteve rrugore për vitin 2009 janë dhënë dje në analizën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku bie në sy rritje e tyre në të gjitha aspektet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke rreshtuar një sërë arritjesh pozitive, nuk ka pasur ç’të shtojë për numrin e lartë të tyre. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2009 kanë ndodhur 1316 aksidente rrugore. Krahasuar me vitin 2008, ky numër është rritur me 220, pasi dy vite më parë janë regjistruar vetëm 1096 aksidente. Por, rritja e aksidenteve rrugore nuk ka mbajtur nën kontroll numrin e personave të lënduar. Kështu, sipas shifrave të publikuara nga kreu i policisë, Hysni Burgaj, aksidentet rrugore kanë sjellë 334 persona të vdekur dhe 1309 persona të plagosur.
Ndërkaq, duke i krahasuar këto shifra po me vitin 2008, rezulton se ka një rritje të ndjeshme. Në vitin 2008, aksidentet rrugore kanë sjellë 270 të vrarë dhe 1142 persona të plagosur. është e dukshme se për një vit, viktimat janë 64 persona më shumë, ndërsa të plagosur janë 167 persona më shumë. Nga ana tjetër, e vetmja analizë e dhënë publike nga ana e policisë është ajo që aksidentet më të mëdha dhe pasojat e tyre kanë ndodhur gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht. Duke u nisur nga kjo analizë, Berisha ka deklaruar se nuk mund të pranohet një situatë e tillë në trafikun rrugor. Sipas tij, për të gjitha aksidentet me shpejtësi të madhe, një përqindje e lartë e përgjegjësisë është e Policisë së Shtetit dhe skuadrave të saj të monitorimit të rrugëve. “Shkaku numër 1 është qëndrimi i papërshtatshëm i policisë ndaj ligjit. Ato janë jetë njerëzish. Zoti drejtor i Përgjithshëm, ju referuat 65 viktima më shumë se vitin e kaluar. Ky është një numër shumë i madh, ndaj dhe unë kërkoj nga ju një shqyrtim shumë serioz, një plan të artë masash, sepse historia provon që numri i aksidenteve mund të ulet dhe se ka një seri ndërhyrjesh, një impakt direkt pozitiv në uljen e tyre”, deklaroi kreu i qeverisë. Më tej, ai u shpreh se ky është një qëndrim indiferent i policisë rrugore ndaj ligjit. “Unë kam një vlerësim të madh për sakrificën tuaj dhe një admirim të madh për punën tuaj. Askush nuk sakrifikohet më shumë se ju në një shoqëri të lirë, por asgjë nuk ka më të rëndësishme sesa qëndrimi juaj ndaj zbatimit të ligjit. Trafikun mbi baza ligjore e menaxhoni ju. Siç është arritur të ulet progresivisht numri i vrasjeve, ne kërkojmë një kthesë rrënjësore në uljen e numrit të aksidenteve në këtë vend”, është shprehur i bindur Kryeministri. Më tej, ai ka deklaruar se nuk mund të pranohet situata e krijuar në verë, kur aksidentet kalonin si top futbolli nga një komisariat në tjetrin, me pretekstin se e ka ky apo ai komisariat. “Situata të tilla nuk mund të përsëriten më. Drejtoria e policisë së Durrësit mban të gjitha përgjegjësitë, për një numër katastrofal aksidentesh që ndodhën në verë, në një autostradë vetëm 30 km gjithsej. Ndaj dhe duke shprehur vlerësimin më të madh për punën, përkushtimin dhe kurajën tuaj, duke shprehur mbështetjen e plotë të qeverisë për të gjitha problemet tuaja, unë ju bëj thirrje për një përpjekje të madhe në zbatimin e ligjit. Vera po vjen. Dihet që popullata e Shqipërisë dyfishohet, automjetet dyfishohen. Do të bëhen të famshme rrugët e Shqipërisë, do të kenë frikë të vijnë, ndaj dhe kërkoj një qëndrim tërësisht tjetër nga Policia e Shtetit në trafikun e qarkullimit rrugor, pasi vërtet është bërë një problem shqetësues”, përfundoi Kryeministri.
#