E Diel, 1 Nëntor 2026

Antonio Konte do Shqipërinë

• Një ish-nxënës i Trapatonit dhe i Lipit kërkon përfaqësuesen shqiptare. Antonio Konte, ish-mesfushor i Juventusit dhe i Italisë është një nga pretendentët kryesorë për t'u ulur në stolin kuqezi.Jetmir Halilaj Gjatë orëve të fundit, menaxherët e tij kanë fituar terren përballë holandezit Ari Hann, i cili është gjithashtu, një nga pretendentët kryesorë për të marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare. Menaxherët e italianit kanë kontaktuar gjatë orëve të fundit me krerët e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kanë arritur të bien dakord për një takim mes Kontes dhe Dukës, të cilët mund të ulen në bisedime edhe në Vjenë, ku kreu i Federatës do të shkojë ditën e shtunë për të biseduar pikërisht me disa nga trajnerët e huaj që kanë shfaqur interes për të drejtuar Kombëtaren shqiptare. Emri i Kontes është përfolur vazhdimisht gjatë këtyre ditëve, por vetëm dje menaxherët e tij janë shfaqur këmbëngulës. "Përveç Sheferit, Sidkës dhe Ari Han, presidenti Duka mund të takohet në Vjenë edhe me Antonio Konten ose ndonjë bashkëpunëtor të afërt të tij. Gjatë orëve të fundit disa nga menaxherët e teknikut italian kanë kërkuar me ngulm që të hyjnë në bisedime dhe mund të themi se Konte është një kandidaturë serioze", ka thënë dje, zëdhënësi për shtyp i Federatës, Lysjen Nurishmi. Duka ka thënë se po bën të pamundurën që ta zgjidhë çështjen e trajnerit të Kombëtares sa më shpejt. BogdaniPresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është i gatshëm për të hyrë në bisedime me trajnerin italian, Antonio Konte, megjithëse ka edhe shumë kërkesa të tjera nga trajnerë të huaj më me eksperiencë se ish-mesfushori i Juventusit. Mësohet se kreu i FSHF-së i ka telefonuar sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Erjon Bogdani, për të marrë një mendim edhe prej tij në lidhje me kandidaturën e Kontes, pasi ky i fundit ka qenë zv/trajner i Sienës në sezonin 2005-2006, periudhë në të cilën Bogdani aktivizohej me Sienën. "Këtu vlerësohet shumë. Është një njeri autoritar dhe në skuadrat ku ka punuar deri tani është vlerësuar si një takticien i mirë", mësohet t'i ketë thënë ai Dukës. Antonio Konte është i dyti italian që ka hyrë në kontakte zyrtare me FSHF-në, pas Klaudio Xhentiles. Ky i fundit vazhdon të jetë në tratativa, por kërkon shumë para (800 mijë euro), një kriter i vështirë për t'u plotësuar nga pala shqiptare. Ndërkohë janë edhe katër emra të tjerë që synojnë të zënë vendin e lënë bosh nga Oto Bariç. Bëhet fjalë për holandezin Ari Haan, gjermanët Vinfred Shefer e Volfgang Sidka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›