E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi nderon kujtimin e Azem Hajdarit, një ndër figurat e shquara të historisë së demokracisë shqiptare.

12 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi vizituan familjen e Azem Hajdarit sot, dhjetë vjet pas vrasjes së një ndër figurave më të spikatura dhe me kontribut të çmuar e të pamohueshëm në lindjen e pluralizmit dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.

Me një vlerësim të lartë dhe emocion të veçantë, Presidenti Topi, gjatë bashkëbisedimit me familjarët, kujtoi dhe ndau me ta disa prej momenteve më të vyera dhe të pashlyeshme të punës dhe të miqësisë me Azem Hajdarin, duke theksuar forcën e tij të personalitetit, kurajon dhe besimin tek populli dhe e ardhmja demokratike e Shqipërisë, çfarë e vunë Azemin në krye të lëvizjes studentore të viteve 90-të, që do të mbetet në memorien tonë historike si një themel i fuqishëm i një epoke të re të zhvillimit kombëtar. Familjarët e të ndjerit Azem Hajdari falenderuan Presidentin Topi dhe Zonjën e Parë, duke shprehur njëkohësisht edhe një herë mirënjohjen për Urdhrin e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” që iu akordua dy ditë më parë nga Kreu i shtetit në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Pallatin e Brigadave.

Mirënjohjen dhe vlerësimin për këtë figurë të shquar të historisë së demokracisë shqiptare, Kryetari i Shtetit e shprehu dhe gjatë një prononcimi për mediat në të cilin theksoi se: “Dhjetë vjet sinqerisht janë shumë në kuptimin e viteve që kalojnë, por pa Azemin dhjetë vite konsiderohen shumë pak. Shumë pak, sepse jemi mësuar vazhdimisht në të gjithë aktivitetin tonë shoqëror dhe politik që Azemin ta kishim afër, jo si një person thjesht në qëndrimin e tij fizik, por ka qenë vërtet një lider. Jemi mësuar ta quajmë liderin e demokracisë, por ai kishte brenda një periudhe shumë të shkurtër, e kam thënë dhe vazhdoj ta them, një intensitet dhe një frekuencë të lartë në rritjen e pjekurisë së tij politike dhe shoqërore.

Në kuptimin tjetër, dhjetë vjet pa Azemin janë shumë, sepse brenda dhjetë viteve, Azemi i ka munguar në radhë të parë familjes. Fëmijët e tij janë rritur pa Azemin, por janë rritur me figurën e Azemit. Dhjetë vjet pa Azemin janë shumë, sepse demokracia ka humbur prej dhjetë vitesh një zë të hapur, një zë të vërtetë, një zë të drejtpërdrejtë, një zë shumë të guximshëm. Kështu që pas dhjetë vitesh unë e kujtoj Azemin me shumë mall, me shumë vlerësim, dhe natyrisht atë që japim nëpërmjet dekoratave janë shumë pak për një figurë të tillë historike. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë vlerësohet Azemi. Kjo është arsyeja që të gjithë jemi bashkë për ta kujtuar”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›