E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi në Maqedoni: Të respektohet marrëveshja e Ohrit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, dhe në krye të delegacionit zyrtar, u prit sot paradite në një ceremoni zyrtare, nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, dhe Zonja e Parë, Maja Ivanova, në mjediset e Kabinetit “Vila Vodno” në Shkup, Maqedoni.
 

Dy Krerët e Shteteve zhvilluan një takim kokë më kokë, ku theksuan se institucionet janë përgjegjëse për tu ballafaquar me rastin e vrasjes së pesëfishtë në afërsi të fshatit Smilkovc të Shkupit.
 

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe homologu i tij Gjorgje Ivanov bënë thirrje për qetësi dhe përmbajtje nga qytetarët në Maqedoni.
Në një konferencë të përbashkët me gazetarët në Shkup, dy presidentët theksuan se institucionet janë përgjegjëse për tu ballafaquar me rastin e vrasjes së pesëfishtë në afërsi të fshatit Smilkovc të Shkupit.
 

Topi dhe Ivanov gjithashtu nënvizuan se midis dy shoqërive nuk ka vend për vepra që mund të ndikojnë negativisht në stabilitetin e rajonit.
 

Presidenti shqiptar duke shprehur ngushëllimet në adresë të familjeve të viktimave, porositi se ky akt destabilizues duhet ti nënshtrohet një hetimi adekuat dhe të trajtohen në përputhje me ligjin. "Institucionet përkatëse janë ato që duhet të zgjidhin këtë rast. Jam i bindur se këto institucione përmes punës së tyre profesionale do të zbatojnë hetimet në mënyrë objektive dhe një material i tillë do ti dorëzohet edhe organeve gjyqësore. Tërë ky rast duhet të çlirohet nga paragjykimet e shumëllojta", deklaroi presidenti shqiptar, ndërsa ka bërë thirrje që marrëveshja e Ohrit të respektohet me korrektësi nga të gjitha palët.
 

Presidenti Gjorgje Ivanov theksoi se institucionet shtetërore në këtë situatë po veprojnë me përgjegjësi të lartë, ndërsa ai tha se një gjë të tillë e pret edhe nga subjektet e tjera në shoqërinë e këtij vendi. "Presim që institucionet përgjegjëse të kryejnë punën e tyre dhe presin që qytetarët të mos bien pre e spekulimeve dhe skenareve të ndryshme që janë të pritshme në situata të këtilla", deklaroi Ivanov, duke komentuar vrasjen e pesëfishtë.
 

Presidenti Topi ka folur edhe mbi rolin e mediave në këtë situatë si dhe ka shprehur kritika ndaj qasjes së qarqeve mediale serbe që sipas tij kanë prapavijë qëllimkeqe për situatën në Maqedoni.
 

"Ju përfaqësues të media duhet të dërgoni porosi për bashkëjetesë, në një hapësirë të përbashkët, ku interesi i vendit është anëtarësimi në strukturat euroatlantike. Dhe të izoloni të gjitha qarqet dhe porositë qëllimkëqija dhe që kanë prapavijë nacionaliste, sidomos pjesa e atyre që janë nga Serbia. Punët duhet të skanohen në mënyrë reale", theksoi presidenti Bamir Topi.
 

Dy presidentët u dakorduan se ardhmëria e dy vendeve është në strukturat euroatlantike, dhe në këtë drejtim presidenti Topi shprehu mbështetjen e fuqishme nga Shqipëria për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.
 

Presidenti Topi gjithashtu shtoi se çdo reflektim nacionalist apo ultranacionalist apo çdo klimë e paragjykimeve do ti bënte dëm marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni, por edhe në raportet në rajon.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›