Presidenti Topi në krah të Timoshenkos, bojkoton Ukrainën
Presidenti Bamir Topi iu është bashkangjitur vendeve të BE-së dhe ka vendosur që të bojkotojë samitin e Ukrainës, duke dalë kështu në mbështetje të ish-kryeministres ukrainase, Julia Timoshenko, e cila është keqtrajtuar nga autoritetet vendase në burg. Kjo është bërë e ditur nga Topi gjatë konferencës së përbashkët me homologun e tij malazez, Filip Vujanoviç.
“Unë mund tju them sot që, dje në mëngjes unë kam paraqitur vendimin tim pranë strukturave tona diplomatike dhe pranë strukturave që menaxhojnë këtë Samit për të mos marrë pjesë duke iu bashkëngjitur linjës së vendeve të BE-së për të protestuar nëpërmjet bojkotit për mënyrën e trajtimit të ish-kryeministres Yulia Tymoshenko, e cila natyrisht sikurse dihet edhe nëpërmjet përcjelljes që ka bërë media, po i nënshtrohet një trajtimi jo njerëzor. Kështu që, në mënyrë të qartë jemi shprehur që do të bojkotojmë këtë takim. Kuptohet bojkoti nuk bëhet ndaj vlerave të Samitit të Presidentëve, po bojkoti bëhet ndaj vendit mikpritës, jo si vend, Ukrainës, por pikërisht standardit të demokracisë që sot vërtet është një krizë të ushtrimit të tij“, tha presidenti Topi, duke u bërë kështu i pari politikan nga Europa Juglindore, që braktis samitin e Ukrainës, për shkak të keqtrajtimit të Timoshenkos.
