E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja e Parë, Teuta Topi apelon shoqërinë shqiptare për më tepër përkushtim në përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.

21 nëntor 2009

Me rastin 20-të vjetorit të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës, Zonja e Parë, Teuta Topi, në bashkëpunim me drejtues të UNICEF-it në Shqipëri, organizoi në ambjentet e Pallatit të Brigadave një veprimtari festive përkujtimore. Të ftuar specialë të saj në këtë ditë ishin fëmijë përfaqësues të grupeve të ndryshme sociale dhe komuniteteve shoqërore të vendit si dhe prindërit dhe edukatorët e tyre. Kjo veprimtari u nderua nga pjesëmarrja e Presidentit të Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i cili shoqërohej edhe nga dy vajzat Etida dhe Nada. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta së bashku me familjen e tij, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, drejtues të institucioneve të pavarura, etj.

Pasi u takua dhe bisedoi përzemërsisht me fëmijët, Zonja e Parë mbajti një fjalë përshëndetëse në të cilën së pari shprehu mirënjohjen për të gjithë përfaqësuesit e insitucioneve, që merren me problemet e fëmijëve e të adoleshentëve, si dhe të gjithë fëmijët e pranishëm në këtë veprimtari, dhe nëpërmjet tyre të gjithë fëmijët e Shqipërisë. Në vijim të fjalës së saj, znj. Topi vuri në dukje se “ndonëse shoqëria shqiptare dhe institucionet shtetërore kanë bërë një progres të dukshëm në marrëdhëniet me fëmijët dhe botën e tyre, e sigurisht që për këtë duhen përgëzuar, mund të themi se gjithmonë kjo marrëdhënie ka nevojë për përmirësime, sepse çdo ditë shtohen sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe prindërit e tyre”. “ Pas 20-të vjetësh të analizës së ndikimit të kësaj Konvente, kërkohet që vëmendja të përqendrohet në tri sfida kryesore: 1- të garantohet dinjiteti i fëmijës, 2- t’i sigurohen fëmijës të gjitha mundësitë për zhvillim dhe 3- të vendoset dialogu ndërmjet të rriturve dhe fëmijëve në përputhje me kërkesat e kësaj Konvente”, - theksoi Zonja e Parë.

Duke iu referuar periudhës së gjatë të tranzicionit shqiptar, Zonja e Parë nënvizoi faktin se “një fenomen shqetësues kanë qenë edhe fëmijët e ngujuar”, - duke shprehur dhe qëndrimin se, - “ndonëse numri i tyre është në ulje, ndërgjegjia jonë nuk duhet të jetë e qetë deri sa të mos ketë asnjë të tillë”. Gjithashtu, znj. Topi apeloi që “vëmendja e institucioneve duhet të rritet edhe për ata fëmijë që gjenden në burgjet e minorenëve për faje të ndryshme, periudha e kufizimit të lirisë duhet të jetë një mundësi që nesër ata të jenë qytetarë të lirë e të denjë për një vend demokratik”. “Ne kemi nevojë që fëmijët tanë të jenë sot edhe nesër anëtarë të një shoqërie me vlera të larta morale, me parime të forta kushtetuese, me vlera civile e demokratike, prandaj jo vetëm ta nderojmë këtë konventë, por të mos rreshtim së lexuari me vullnetin për ta zbatuar gjithmonë atë”, - u shpreh ajo.

Në përfundim të fjalës përshëndetëse, Zonja e Parë, Teuta Topi shprehu mendimin se “këto sfida do të mund të kapërcehen nëse shoqëria shqiptare do të vlerësojë se investimi për fëmijët është një investim plotësisht i justifikuar, si në aspektin social dhe në atë ekonomik. Prandaj mesazhi im sot është që të mos kursehemi për fëmijët”.

Në këtë ditë të veçantë për ta, fëmijët u përshëndetën dhe nga përfaqësuesi i UNICEF –it në Shqipëri, z. Detlef Palm dhe z. Luixhi Busa nga Përfaqësia e Komisonit Europian në vendin tone si dhe përfaqësuesja e Parlamentit Rinor dhe e komunitetit rom, Eda Ymeri. Në vijim vetë fëmijët e ftuar në këtë veprimtari u bënë protagonistë të një koncerti të larmishëm artistik, i cili u ndoq me kureshtje dhe kënaqësi nga të gjithë të pranishmit.

Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës (KDF) është traktati i të drejtave të njeriut më i ratifikuar në historinë njerëzore. Shqipëria e ka ratifikuar Konventën në vitin 1992. KDF-ja është një traktat i detyrueshëm i së drejtës ndërkombëtare. Parimet e tij universale zbatohen për të gjithë fëmijët, në të gjitha vendet dhe kulturat, në çdo kohë dhe pa përjashtim.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›