E Shtunë, 31 Tetor 2026

PËRSHËNDETJA E ZONJËS SË PARË, TEUTA TOPI ME RASTIN E 20-VJETORIT TË KONVENTËS SË KOMBEVE TË BASHKUARA PËR TË DREJTAT E FËMIJËS.

21 nëntor 2009

Të dashur fëmijë!
Të nderuar pjesëmarrës!
Mirëdita të gjithëve!

Përfitoj nga rasti në këtë 20-të vjetor të ratifikimit të Konventës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve të përshëndes të gjithë përfaqësuesit e insitucioneve që merren me problemet e fëmijëve e të adoleshentëve si dhe të gjithë fëmijët e pranishëm këtu, dhe nëpërmjet tyre të gjithë fëmijët e Shqipërisë.

Konventa për të Drejtat e Fëmijëve është një dokument universal, i cili përmbledh të drejtat e fëmijëve, duke filluar me atë që është më themelore, të drejtën për jetën. Ndoshta do të ishte mirë që kjo kartë të studiohej nëpër shkolla në mënyrë që fëmijët të rriten me bindjen që gëzojnë të drejta të patjetërsueshme e të pacënueshme, të garantuara me ligj.

Ndonëse shoqëria shqiptare dhe institucionet shtetërore kanë bërë një progres të dukshëm në marrëdhëniet me fëmijët dhe botën e tyre, e sigurisht që për këtë duhen përgëzuar, mund të themi se gjithmonë kjo marrëdhënie ka nevojë për përmirësime, sepse çdo ditë shtohen sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe prindërit e tyre.

Pas 20-të vjetësh të analizës së ndikimit të kësaj Konvente, kërkohet që vëmendja të përqendrohet në tri sfida kryesore: 1- të garantohet dinjiteti i fëmijës, 2- t’i sigurohen fëmijës të gjitha mundësitë për zhvillim dhe 3- të vendoset dialogu ndërmjet të rriturve dhe fëmijëve në përputhje me kërkesat e kësaj Konvente.

Jam e mendimit se shteti gjthmonë duhet të jetë aktori kryesor i ruajtjes së integritetit fizik, moral, shëndetsor, arsimor dhe kulturor të fëmijëve. Këto janë të drejta për të cilat nuk duhet të ketë pikëpyetje, janë të drejta të panegociueshme. Ruajtja e fëmijëve nga varfëria dhe dhuna janë jo thjesht ndjesi humane të dorës së parë, por edhe standarde themelore të një shoqërie që synon me forcë të jetë pjesë e familjes evropiane.

Është e patolerueshme që akoma nëpër rrugët e qyteteve shihen fëmijë migjenianë që shtrijnë dorën duke kërkuar lëmoshë, ndërkohë që ata duhet të jenë në bankat e shkollës me bashkëmoshatarët e tyre. Në këtë rast institucionet duhet të jenë më të vëmendshme si ndaj tyre, por edhe ndaj prindërve që abuzojnë emocionalisht me fëmijët e tyre në rrugë.

Jo pak herë informohemi që ka fëmijë të cilët punojnë në të zezë, ndërkohë që mosha e tyre kërkon që ata të jenë në një tjetër vend. Një vend si Shqipëria që i ka stabilizuar të drejtat e njeriut, duhet të mos e lejojë punësimin e parakohshëm të fëmijëve.

Gjatë viteve të tranzicionit shqiptar një fenomen shqetësues kanë qenë edhe fëmijët e ngujuar, ndonëse numri i tyre është në ulje, ndërgjegjia jonë nuk duhet të jetë e qetë deri sa të mos ketë asnjë të tillë. Fëmijët e burgosur nga fati i keq, nga mentalitetet e të rriturve duhet të rifitojnë lirinë.

Vëmendja e institucioneve duhet të rritet edhe për ata fëmijë që gjenden në burgjet e minorenëve për faje të ndryshme, periudha e kufizimit të lirisë duhet të jetë një mundësi që nesër ata të jenë qytetarë të lirë e të denjë për një vend demokratik.

Të gjithë së bashku duhet të krijojmë kushtet që fëmijët dhe adoleshentët shqiptarë të mbrohen me efikasitet nga të gjitha rreziqet që shfaqen, apo devijimet ndaj të cilave ata mund të jenë të ekspozuar. Ne kemi nevojë që fëmijët tanë të jenë sot edhe nesër anëtarë të një shoqërie me vlera të larta morale, me parime të forta kushtetuese, me vlera civile e demokratike, prandaj jo vetëm ta nderojmë këtë konventë, por të mos rreshtim së lexuari me vullnetin për ta zbatuar gjithmonë atë.

Unë mendoj se këto sfida do të mund të kapërcehen nëse shoqëria shqiptare do të vlerësojë se investimi për fëmijët është një investim plotësisht i justifikuar, si në aspektin social dhe në atë ekonomik. Prandaj mesazhi im sot është që të mos kursehemi për fëmijët.

Le të na shërbejë ky 20-të vjetor i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve që ne të gjithë të reflektojmë duke marrë përsipër sfidën. Por sfida kapërcehet me veprime konkrete. Le të bashkohemi të gjithë për fëmijët tanë.

Ju falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›