E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Kongresmenin amerikan Eliot Engel.

11 maj 2009

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti në një takim të ngrohtë e miqësor në një nga ambientet e Pallatit të Brigadave, Kongresmenin amerikan, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve nga shteti i Nju Jorkut, Eliot Engel dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.

Presidenti Topi, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë për takimin, vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer midis dy vendeve dhe shprehu bindjen se këto marrëdhënie do të njohin dimensione të reja, veçanërisht pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën e gjithanshme që i kanë dhënë Shqipërisë, si në rrugën e transformimeve të brendshme demokratike e në konsolidimin e demokracisë shqiptare, ashtu edhe për angazhimin e vazhdueshëm e kontributin e madh në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO, proces i cili u konkretizua në Samitin e Strasburg-Kehl-it”, - u shpreh Presidenti Topi.

Kreu i shtetit nënvizoi se, veçanërisht pas anëtarësimit në Aleancë, Shqipëria është e ndërgjegjshme për përgjegjësitë në rritje e angazhimin në vazhdim ndaj sfidave rajonale e globale duke demostruar në vazhdimësi besnikërinë e saj si partnere dhe aleate e besueshme.

Gjithashtu, Kryetari i shtetit shqiptar theksoi se Shqipëria i është mirënjohëse SHBA-së për qëndrimin ndaj çështjes shqiptare në përgjithësi dhe ndaj çështjes së Kosovës, në veçanti. Në këtë kuadër, Presidenti Topi shprehu vlerësimet për mbështetjen dhe përkushtimin e madh të z. Engel në përkrahje të çështjes shqiptare.

Presidenti Topi, pasi bëri një pasqyrë të shkurtër të zhvillimeve të brendshme në vend, konkretisht mbi reformat kushtetuese, ato zgjedhore, në drejtësi, ekonomi, etj, nënvizoi se këto reforma mbeten faktorë të rëndësishëm, jo vetëm në ecurinë pozitive të zhvillimeve në vend, por dhe në nxitjen e proceseve integruese të Shqipërisë. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, Kreu i shtetit vuri në dukje se ecuria pozitive e situatës parazgjedhore në vend, përfundimi me sukses i pajisjes së shtetasve shqiptarë me karta identiteti, - si etapë e rëndësishme e reformës elektorale, - si dhe realizimi i zgjedhjeve të drejta e të pakontesueshme parlamentare të 2009-ës për Shqipërinë, do të jenë tregues të qartë të stabilitetit të konsoliduar politik në vend.

Ndërsa Kongresmeni amerikan Eliot Engel, pasi falenderoi për pritjen e përzemërt, vuri në dukje rolin moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në rajon, për ruajtjen dhe forcimin e paqes e qëndrueshmërisë afatgjatë në Ballkan, – në një rajon, i cili pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të një shteti të ri shumëetnik e demokratik që respekton të drejtat e të gjitha pakicave, është projektuar i tëri drejt integrimit euroatlantik.

Gjithashtu Kongresmeni amerikan vlerësoi lart gjithashtu edhe mbështetjen maksimale të Shqipërisë për politikën amerikane në rajon, si aleate e partnere e besueshme në rajon e më gjerë duke ritheksuar faktin se: “Shqipëria dhe kombi shqiptar janë miqtë më të mëdhenj e më të mirë të Shteteve të Bashkuara në mbarë botën”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›