Presidenti Topi pret Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles.

7 tetor 2008
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles me rastin e paraqitjes së Letrave kredenciale.
Në këtë takim të parë, duke vlerësuar marrëdhëniet e hershme në histori mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, Presidenti i Republikës i uroi Nuncit Apostolik mirëseardhjen në vendin tonë, si dhe sukses në përmbushjen e detyrës së tij për forcimin dhe çuarjen më tej të këtyre marrëdhënieve që sot njohin një nivel shumë të mirë. Presidenti Topi vuri në dukje se shqiptarët i janë mirënjohës Selisë së Shenjtë për ndihmën që ka ofruar për ringjalljen shpirtërore, morale, edukative të popullit shqiptar, si edhe në mënyrë të veçantë për lumturimin e Nënë Terezës, figura e së cilës është krenari dhe shembull për kombin tonë.
Në vijim të bisedës, duke u ndalur në disa prej zhvillimeve në vend, Kryetari i Shtetit nënvizoi faktin se Shqipëria, si një vend ku tri besimet fetare bashkëjetojnë në harmoni e tolerance midis tyre, e quan të rëndësishme inkurajimin e dialogut dhe mirëkuptimit midis feve, si pjesë e dialogut midis qytetërimeve. Një fakt të tillë, Presidenti Topi e vlerësoi si një vlerë të paçmueshme të traditës dhe identitetit të shqiptarëve që vlen të evidentohet dhe në kuadër të integrimit të vendin në familjen e madhe evropiane dhe euroatlantike. Në përfundim të takimit, Kryetari i Shtetit i përcolli, përmes Nuncit Apostolik, Papa Benediktit XVI përshëndetjet më të ngrohta e të përzemërta, me dëshirën e madhe për t’u takuar së afërmi në Shqipëri.
Nga ana e tij, Imzot Ramiro Moliner Ingles pasi e falenderoi Presidentin Topi për pritjen, vlerësoi përparimet dhe arritjet e Shqipërisë në rrugëtimin e saj integrues në strukturat euro-atlantike, duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për rritjen e nivelit të marrëdhënieve të shkëlqyera ekzistuese mes dy vendeve dhe inkurajimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme si arsimi, kujdesi shëndetësor, zhvillimi ekonomik, etj. Gjithashtu Nunci Apostolik në Tiranë, pasi vlerësoi lart harmoninë dhe bashkëjetesën fetare në vendin tonë, i përcolli Kreut të Shtetit shqiptar mesazhin dhe urimin nga Ati i Shenjtë drejtuar popullit shqiptar për më shumë shpresë, paqëtim dhe paqe, që do të sjellin rritjen e begatisë dhe zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë.