E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Drejtoren e re të USAID-it në vendin tonë, Roberta Mahonei.

3 tetor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot znj. Roberta Mahonei, e cila ka ardhur në vendin tonë në detyrën e Drejtores së USAID-it, e cila shoqërohej nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Dr. Xhon L. Uithers II.

Pasi i uroi mirëseardhjen Drejtores së re të USAID-it në Shqipëri, Presidenti Topi shprehu konsideratën e lartë për rolin mjaft të rëndësishëm që ky organizëm ka luajtur në ecurinë pozitive të proceseve demokratike në vendin tonë, për kontributin në konsolidimin e shoqërisë civile, në zhvillimin progresiv në fusha si ajo ekonomike, e kulturës, shëndetësisë, etj. Presidenti nënvizoi interesimin e shetit shqiptar për vijimin e projekteve të zhvillimit që USAID ka ndërmarrë në vendin tonë, të cilat i shërbejnë përparimit të mëtejshëm të Shqipërisë edhe në drejtim të përmbushjes së standardeve të integrimit të saj euroatlantik dhe edhe në këtë kuadër i uroi znj. Mahonei suksese në ushtrimin e detyrës së saj në vendin tonë.

Në vijim të bisedës, Presidenti i Republikës dha një pasqyrë të zhvillimeve më kryesore në vend, duke u ndalur në reformat e ndërmarra, ato kushtetuese, zgjedhore, në sistemin e drejtësisë, sidomos në luftën kundër korrupsionit, etj. Gjithashtu, Kryetari i Shtetit vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanëshme që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë si në kuadrin e integrimit në NATO, po ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë shqiptare.

Drejtorja e re e USAID-it në vendin tonë, Roberta Mahonei shprehu mirënjohjen për takimin me Presidentin Topi dhe e siguroi atë për angazhimin maksimal në përmbushjen e misionit të saj në vendin tonë.

Zonja Mahonei shprehu gjithashtu vlerësimin për reformat e gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë që kanë për një vend demokratik e aspirues për të qenë anëtar i familjes euro-atlantike, konsolidimi i shtetit të së drejtës, ruajtja dhe forcimi i institucioneve të pavaruara, lufta kundër korrupsionit dhe një sistem drejtësie i pavarur, i shëndoshë dhe i barabartë për të gjithë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›