E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret Zëvendëskryetaren e Parlamentit britanik, Silvia Hill.

17 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në një takim Zëvendëskryetaren e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Silvia Hill, dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës në vendin tonë.

Kreu i shtetit shqiptar, pasi i uroi zonjës Hill mirëseardhjen në Shqipëri, nënvizoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve të miqësisë dhe bashkëpunimit që karakterizon dy vendet tona me besimin e plotë në zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Presidenti Topi shprehu gjithashtu edhe mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Shqipërinë në drejtim të demokratizimit të vendit e shoqërisë shqiptare, konsolidimit të shtetit të së drejtës dhe institucioneve të pavarura kushtetuese e ligjore, duke siguruar për vendosmërinë e vendit tonë që do të vazhdojë të jetë jo vetëm një aleat besnik në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, por edhe në të gjitha sfidat e përbashkëta të së ardhmes.

Gjithashtu, Presidenti Topi e njohu zonjën Hill me punën konkrete që po bëhet lidhur me reformat kryesore në vend, reformën zgjedhore dhe atë në drejtësi si dhe angazhimin e plotë të vendit tonë për të përmbushur detyrimet që do të mundësojnë integrimin euroatlantik.

Presidenti Topi nënvizoi edhe klimën e mirë të marrëdhënieve të gjithanshme të bashkëpunimit politik dhe ekonomik në Ballkan, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, rolin e rëndësishëm e moderator të faktorit shqiptar në rajon duke u shprehur se e ardhmja e sigurtë e të gjitha vendeve të rajonit tonë është e projektuar drejt familjes së madhe europiane.

Nga ana e saj, zonja Hill, pasi vlerësoi transformimet rrënjësore dhe përparimet e vendit tonë si dhe rolin pozitiv e të rëndësishëm të Kreut të shtetit në drejtim të respektimit të Kushtetutës dhe të ligjeve e të reformimit të pushtetit gjyqësore, siguroi për vazhdimësinë e mbështetjes së gjithanshme britanike, sidomos përsa i përket bashkëpunimit parlamentar e plotësimit të standardeve të kërkuara dhe përballjes e kapërcimit të sfidave të ardhshme. Zonja Hill vuri gjithashtu në dukje faktin që Shqipëria ka luajtur dhe duhet të vazhdojë të luajë rolin e vet të rëndësishëm e moderator në Ballkan me qëllim përmbushjen e aspiratave të përbashkëta integruese në strukturat euro-atlantike.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›