E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret raportuesit e Komisionit të Monitorimit të Këshillit të Evropës, David Uilshire dhe Jako Lakso.

17 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi zhvilloi sot një takim me raportuesit e Komisionit të Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, David Uilshire dhe Jako Lakso.

Presidenti Topi, pasi falenderoi komisionerët për mbështetjen dhe ndihmesën e vazhdueshme dhe të rëndësishme që Këshilli i Evropës e veçanërisht Komisioni i Venecias, i ka dhënë vendit tonë për thellimin e proceseve reformuese demokratike, forcimin e institucioneve dhe përmbushjen e standardeve integruese, vuri në dukje arritjet dhe përpjekjet e mëdha që po bën shteti shqiptar për të kryer reforma thelbësore si ajo në gjyqësor dhe reformën zgjedhore me qëllim arritjen e standardeve në të gjitha nivelet duke i përafruar me ato evropiane.

Komisionerët David Uilshire dhe Jako Lakso përgëzuan Presidentin Topi mbi arritjet e shënuara dhe përparimin e bërë nga Shqipëria në drejtim të demokratizimit dhe bashkëpunimit të frutshëm me Këshillin e Evropës, duke theksuar se çdo përpjekje që bëhet për reforma dhe transformimin demokratik të shoqërisë shqiptare në të gjitha fushat i shërben në radhë të parë Shqipërisë dhe integrimit të saj evropian. Komisionerët evropianë vunë në dukje gjithashtu edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave dhe të përparimit të Shqipërisë në këtë rrugë të mbarë të përmbushjes së aspiratave të saj integruese.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›