E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi takon anëtarët e Gjykatës së Lartë.

16 shtator 2008

Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot paradite në Pallatin e Brigadave një takim pune me anëtarët e Gjykatës së Lartë.

Gjatë takimit Presidenti Topi u njoh me ecurinë e punës në institucionin më të lartë të pushtetit gjyqësor dhe shkëmbeu mendime me secilin prej anëtarëve. Kryetari i Shtetit u kërkoi që veç veprimtarisë së tyre të përditshme, me vendimmarrjet në kolegje apo në orientimin e praktikës gjyqësore nëpërmjet vendimeve unifikuese, anëtarët e Gjykatës së Lartë të jenë më aktivë dhe më prezentë në reformat që ndërmerren për gjyqesorin, duke shprehur në mënyrë bindëse dhe argumentuese mendimet e tyre.

Duke u ndalur tek çështja e zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Presidenti Topi u shpreh se është në përfundim të procesit të vlerësimit për përzgjedhjen e tij. Në gjykimin e Presidentit të Republikës, Kryetari i Gjykatës së Lartë duhet të jetë një individ me integritet të lartë moral dhe profesional, në gjendje të përfaqësojë denjësisht pushtetin gjyqësor, të përballet me sfidat që ka ky pushtet dhe të jetë në gjendje t’i qëndrojë larg influencave jo vetëm politike por edhe nëpërmjet një linje tjetër që është shumë influente në pushtetin gjyqësor pikërisht afera që vjen nëpërmjet interesave ekonomike.

Një tjetër sfidë me të cilën Presidenti u kërkoi që të përballen gjyqtarët e Lartë e nëpërmjet tyre edhe gjyqtarëve të shkallëve të tjera të gjyqësorit, ishte garantimi i paanësisë dhe profesionalizmit në dhënien e drejtësisë në mënyrë që pushteti gjyqësor t’i largohet përfundimisht aferave korruptive dhe imazhit me të cilin e ka veshur perceptimi i publikut.

Anëtarët e Gjykatës vlerësuan Presidentin Topi për këtë takim pune dhe shprehën vullnetin për një angazhim më të madh në ushtrimin e funksioneve të tyre kushtetuese si dhe për një kontribut më të madh në procesin për reformimin e sistemit të drejtësisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›