E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI hap fushatën, Meta: Luftë papunësisë dhe varfërisë



Dje LSI ka hapur fushatën elektorale në Pallatin e Kongreseve me zhvillimin e konventës kombëtare të partisë. Në fjalimin e tij, kreu i kësaj force politike, Ilir Meta, u shpreh se programi i LSI-së është garancia për mirëqenien e shqiptarëve. Ai ka premtuar se nëse vjen në pushtet, qeveria e tij do të ketë përparësi luftën kundër varfërisë dhe papunësisë. “LSI do të luftojë në këto zgjedhje për të garantuar 100 mijë vende pune në qeverisjen tonë”. Ai shtoi se LSI është garancia e vetme për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike“. Duhet të bashkohemi për të mos e lënë më Shqipërinë në duart e atyre që e keqqeverisën, koha për veprim është koha për rininë, sepse rinia është gjëja më e çmuar që ka Shqipëria dhe qeverisja jonë do t’i japë mundësinë të shpalosë aftësitë e saj”, - tha kreu i LSI-së. Më tej, ai tha se “kam planin me prioritetin kryesor për shqiptarët, që është papunësia dhe mirëqenia për çdo familje shqiptare”. Meta ka shprehur bindjen e tij se LSI do të dalë fituese nga zgjedhjet e 28 qershorit. “Kompania amerikane që kemi zgjedhur ka nxjerrë fitues Bill Clinton në Amerikë, Tony Bler në Britani, Boris Tadiç në Serbi dhe do të na nxjerrë fitues edhe neve në Shqipëri”, - ka pohuar Meta.

Kreu i LSI ka theksuar se partia e tij kandidon në këto zgjedhje për të luftuar fenomenet negative të vendit dhe për të mbrojtur dinjitetin e qytetarëve shqiptarë, ndryshe nga parti të tjera, që sipas tij, për interesat e tyre kanë shkelur dokumentin themeltar të shtetit. “Kandidatët e LSI po punojnë në terren. Ne nuk jemi në këto zgjedhje për të marrë 71 deputetë, por për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza. Ne luftojmë në këto zgjedhje për të mbrojtur dinjitetin e gjithë shqiptarëve nga ata, që në kundërshtim me vullnetin dhe referendumin e popullit shqiptar, ndryshuan Kushtetutën për interesa personale dhe korruptive. Ne punojmë dhe luftojmë në këto zgjedhje për t’i dhënë shpresë dhe perspektivë gjithë shqiptarëve këtu dhe atyre kudo ku janë, sepse janë pjesë e jona”, - ka shtuar Meta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›