E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret deputetë të Komisionit kuvendor kosovar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport.

26 maj 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite në ambientet e Presidencës deputetë të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Kryetari i këtij Komisioni, Arsim Rexhepi. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në vendin tonë, Gazmend Pulaj.

Pasi u uroi mirëseardhjen dhe shprehu kënaqësinë e veçantë të këtij takimi të përzemërt e vëllazëror, Presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve tona, të reflektuar edhe në shkëmbimet e vizitave zyrtare të të gjitha niveleve. Duke shprehur vullnetin për forcimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve, të cilat deri tani kanë vijuar të zhvillohen me sukses, Presidenti Topi vlerësoi lart punën e institucioneve të Kosovës për ndërtimin dhe funksionimin sa më mirë të një shteti demokratik dhe multietnik.

Gjatë bisedës Presidenti Topi vuri në dukje përkushtimin e dy vendeve tona ndaj vlerave më të mira të përbashkëta dhe vlerësoi si tepër të frytshëm bashkëpunimin mes komisioneve parlamentare përkatëse të arsimit dhe të shkencës.

Nga ana e tij, Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport të Kuvendit të Kosovës, zoti Arsim Rexhepi duke falënderuar Presidentin Topi për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha institucioneve shqiptare në funksion të konsolidimit të shtetit të ri të Kosovës, por njëkohësisht nënvizoi faktin se Kosova ka ende nevojë për ndihmën e Shqipërisë në procesin e forcimit të mëtejshëm të institucioneve të saj. Gjithashtu, zoti Rexhepi garantoi bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të Prishtinës dhe atyre të Tiranës në funksion të rritjes dhe thellimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojës në fushat e arsimit, shkencës, studimeve dhe kërkimit shkencor, teknologjisë dhe në këtë kuadër e informoi Kreun e shtetit shqiptar për hapjen e universitetit të ri në Prizren.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›